Administrata Trump do të implementojë një politikë të re të premten që do ta bëjë më të vështirë që shtetasit e huaj të udhëtojnë dhe të lindin në tokë amerikane, për të garantuar që fëmijët e tyre të bëhen shtetas amerikanë, një praktikë kjo e njohur si turizëm lindjeje.
Rregullat e reja do të jenë efektive më 24 janar sipas një dokumenti të departamentit të shtetit, që është siguruar së fundmi nga CNN dhe që i është dërguar ambasadave në të gjithë botën. Shtëpia e bardhë njoftoi të enjten se departamenti i shtetit nuk do të lëshojë më viza të përkohshme vizitorësh, B-1 dhe B-2, për të huaj që kërkojnë të hyjnë në shtetet e bashkuara për turizëm lindjeje.
Vizitorëve në SHBA, do tu refuzohen vizat e përkohshme nëse do të zbulohet se qëllimi parësor i udhëtimit është sigurimi i shtetësisë amerikane për një fëmijë, duke e lindur atë në SHBA.
Departamenti amerikan i shtetit vlerëson se mijëra fëmijë kanë lindur në SHBA përmes kësaj metode. Departamenti i shtetit nuk ka një shifër se sa ky turizëm lindjeje i kushton taksapaguesve amerikanë, por po përpiqet të marrë masa konkrete për ndalimin e tij.
Top Channel