Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”
“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi dhe unë do të bëj”, punë të tjera, tha ambasadori Grenell. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.
“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”,
Sipas Vuçiç, Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave. Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që, pas lajmit për rikthimin e linjës ajrore mes Kosovës dhe Beogradit, Vuçiç paralajmëroi edhe arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës. Pas takimit me Grenell, Vuçiç tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore, Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.
Top Channel