Frrok Çupi: Populli po bën zgjedhjet e duhura politike, sistemi nuk është gjithnjë problemi. Nevojitej përgjegjësi e liderëve!

22/01/2020 18:46

Në “Top Talk”, Frrok Çupi foli edhe për sistemin zgjedhor aktual në Shqipëri i cili është ai me lista të mbyllura. Debati i sistemit zgjedhor ka qenë shumë i madh ndërmjet strukturave kryesore politike të vendit PS-PD-LSI.

Opozita e bashkuar e përbërë nga PD-LSI dhe parti aleate të tyre që janë pjesë e koalicionit të tyre opozitar, kanë mbrojtur me forcë idenë e tyre që sistemi zgjedhor të konvertohet nga ai me lista të mbyllura në atë me lista të hapura.

Duke i dhënë kështu sipas tyre sovranit fuqinë për të zgjedhur personin që ato duan të përfaqësohen në Parlamentin e Shqipërisë dhe më gjerë. Javën e kaluar të ndikuar dhe nga fuqitë ndërkombëtare palët ranë dakord për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët për të zgjidhur krizën politike të krijuar në vend.

Analisti Frrok Çupi u shpreh në studio se sipas tij sistemi zgjedhor nuk është problemi por problemi qëndron tek individët që angazhohen me politikë. Në qoftë se biem dakord për të ndryshuar sistemin e zgjedhjeve në vend pikë së pari thotë Çupi duhet të mendojmë se cilat janë defektet e këtij sistemi. Shteti shkon përpara thotë ai me njerëz që e duan demokracinë, me njerëz të vendosur për të mbrojtur të drejtat e individit dhe ekonominë e vendit. Gjithashtu ai akuzoi pa cituar emra politikanët në vendin tonë duke i etiketuar si injorantë, mëkatarë dhe një pjesë të tyre si jo demokratikë.

“Me sa e kamë parë dhe sa e kam studiuar në parim ligjin për sistemin zgjedhor unë mendoj se sistemi nuk është fajtori. Fakti që sot ka zhurma të mëdha për zgjedhje nuk është sistemi. Ky është një sistem sigurisht që edhe mund të ndërrohet. Por nuk është domosdoshmërish sistemi që duhet ndërruar për të ndryshuar vlerën e zgjedhjeve. Nëse do të shkojmë në një sistem si ai i listave të hapura duhet të mendojnë se cilat janë defektet e atij sistemi. Jemi një shoqëri e dobët. Individi në një shtet të dobët shumë shpejt mund të kthehet në imponues ndaj të gjithë mazhorancës dhe publikut. Sistemi që kemi na kërkohet që të kemi kryetar partie që të jenë të ndershëm dhe të duan demokracinë.

Ky është i gjithë problemi, na duhen kryetar partie që të ndërtojnë grupe parlamentare të përsosura me njerëz fantastik, me njerëz që e njohin shtetin dhe ndërtojnë shtet. Me njerëz të vendosur për demokraci dhe njerëz të vendosur për të drejtat e individit dhe ekonominë e vendit. Nëse ne ndërrojmë sistemin, ndërrojmë ligjin bëjmë sistem tjetër, bëjmë një ligj tjetër e tjerë e tjerë. Ne shumë shpejt mund të zbresim në tiraninë e ndryshimeve, në tiraninë e reformave, tiraninë e ligjeve. Vetë ligji kur teprohet kthehet në tirani. E mira është që të ketë një institut, që të tregojë të mirat dhe të këqijat e një sistemi. Nuk e bëjnë dot politikanët reformën. Një pjesë e politikanëve janë injorantë, një pjesë e tyre janë mëkatarë, një pjesë e tyre janë jo demokratik”, u shpreh Frrok Çupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA