Në studion e “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte i ftuar analisti Frrok Çupi.
Gjatë fjalës së tij analisti aludoi duke hedhur hipotezën se në Parlamentin Shqiptar shumë shpejt mund të afrohen fondacione islamike të prirura për t’u kthyer në forca islamike luftarake.
Por në Shqipëri mund të shfaqen edhe parti me ideale marksiste. Këtë situatë ai e krahasojë me situatën e tanishme në Kosovë. Çupi u shpreh se populli në Kosovë gaboi që votoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin.
Ai tha se partia e Kurtit mbështetet nga grupe terroriste, të cilët në të kaluarën kanë qenë të gatshëm të vrisnin presidentin, kryetarin e parlamentit dhe kryeministrin. Në lidhje me këtë gjë individët që janë të përfshirë në këto grupe terroriste janë dënuar me 41 vite burgim.
“Në krizat e tilla ne jemi para një rreziku njësoj se si zgjodhi Kosova ose grupime marksiste ose grupime islamike. Ne jemi pranë një rreziku shumë të madh që në parlamentin e ardhshëm të na vijnë islamikët në mënyrë të fuqishme ose marksistet. Ne kemi sot në Kosovë një situatë të tillë. Grupimi i Vetëvendosjes sot, është shpallur një grupim që mbështet terrorizmin në Kosovë. E kam fjalën tek terrorizmi me armë. Ata ishin të gatshëm të vrisnin presidentin, kryetarin e parlamentit, të vrisnin madje edhe kryeministrin. Sot ata janë dënuar me 41 vite burgim. Prandaj dhe them që populli gabon. Por populli gabon kur e lodh demokracia, kur e lodhin institucionet”, u shpreh Çupi.
“Po paralajmëroni një forcë të re politike, që po tentojnë të vijnë këto ditë në Shqipëri?”, ndërhyri gazetari Denis Dyrnjaja në studio.
“Në Shqipëri unë shikoj forca marksiste që po tentojnë të vijnë, shikoj edhe fondacione islamike. Kam përshtypjen se dalë ngadalë ato do të bëhen islamike luftarake dhe që mund të zënë vend në parlamentin tonë”, u përgjigj analisti
Top Channel