Në 11 Maj të vitit 1998, banda zgjeron sulmet drejt funksionarëve shtetërorë të njohur si lidhje e afërt e Artur Dajës. Bashkim Shkurti, në atë kohë shef i Shërbimit Informativ për Lushnjen ekzekutohet me breshëri kallashnikovi në qendër të qytetit. Ai konsiderohej si njeriu që ndihmonte me informacione sekrete Artur Dajën. Për ironi të fatit, Shkurti prehet në varrezat e qytetit pranë Edian Xhafajt, një prej anëtarëve bandës që i mori jetën.
Në të njëjtën periudhë ekzekutohet me armë në hyrje të bashkisë edhe nënkryetari Drago Voshtina, edhe ai i konsideruar si lidhje e afërt e Artur Dajës. Në 5 Korrik të vitit 1998 Dajës i vrasin edhe kunatin, Përparim Memën.
Në 18 Gusht të vitit 1998, ndodh goditja radhës. Atë ditë, Luan Bilbili ndodhej në banesën e tij në periferi të qytetit. Sipas vëllait të Luanit, atje i shkojnë Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti. Bilbili u gjet i pajetë pranë “Kodrës së Ullinjve”, i varur në një pemë. Ai ishte torturuar para ekzekutimit.
Disa ditë pas vrasjes së Bilbilit, në 22 Gusht të vitit 1998, Artur Daja organizon një pritë ndaj Aldo Bares në vendin e quajtur Sulzotaj në Divjakë. Aldo Bare udhëtonte me eskortën e tij të përbërë nga një furgon i blinduar dhe një mjet Alfa Romeo. Artur Daja qëllon me kundratank drejt tyre. Shkurti plagoset lehtë në dorë. Ai vëren se sulmi kishte ardhur nga një furgon në pronësi të Shkëlqim Haxhiut.
“Furgoni i tim vëllai ka qenë atje, është gjendur, e kanë marrë ata për të vajtur në shalqi. I kanë thënë do vemë për shalqi. Si ka mundësi që vëllai im po të kishte dhënë furognin dhe bënte këto veprime, a do vinte në shtëpi? Jo..”, -tregon Qamil Haxhiu, vëllai i Shkëlqim Haxhiu.
Disa orë më vonë, Aldo Bare dërgon ushtarët në banesën e Haxhiut, në lagjen “Loni Dhamo”. Haxhiu thotë se ka parë Ilir Stërgun, Arben e Enver Boriçin, Erion Cicin, Jorgo Muzakën, Rexhep Ginën, Enver Dondollakun dhe Leonard Priftin. Shkëlqimi merr të birin Klodianin dhe dalin nga dritarja e pasme.
Njerëzit e Aldo Bares shkatërrojnë derën dhe kthejnë gjithçka përmbys. Më pas i vënë zjarrin. Ata marrin peng bashkëshorten e Shkëlqimit, vëllain Virgjilin me bashkëshorten e fëmijët dhe i çojnë në bazën e bandës.
“I kanë marrë njerëzit e shtëpisë, ti marësh si bagëti me dru përpara, si bagëti, s’mund ta imagjinosh, ti marrësh e ti çosh te komisariati nr. 2 që thoshin atëherë Aldo Bares, një vëllai atëherë i kanë thyer dy brinjë.
Aldo Bare po i afrohej Artur Dajës që mbeti i izoluar. Kreu i bandës së Lushnjes i bën një ofertë mikut të Arturit, Bledar Haxhiut. Ai i kërkon ti dorëzojë Dajën dhe hesapet e tyre do ishin të lara.
“në fakt Bledar Haxhiu e dorëzoi, por nuk e dorëzoi të gjallë”, tregon gazetari Hoxha.
Në 21 Tetor të vitit 1998, Haxhiu parkon pranë bazës së Aldo Bares në afërsi të komisariatit një automjet. Në bagazh ndodhej trupi i Artur Dajës, i cili ishte i lidhur dhe i ekzekutuar.
Me të parë Dajën, banda e Aldo Bares i pret kokën. Sipas dëshmive të ndryshme, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Leonard Prifti, Enver Dondollaku shëtisnin në qendër të qytetit me kokën e prerë të Artur Dajës.
Ata thërrisnin me zë të lartë “ja koka e Tur Dajës”. Atë ditë, në fshatin Grabian u dëgjua një shpërthim I fuqishëm tritoli. Policia gjeti në vendngjarje copa të shpërndara të një trupi njerëzor. Bëhej fjalë pikërisht për Artur Dajën.
Kjo mënyrë hakmarrje ndaj tij nuk ishte dëgjuar kurrë më parë në vend. Sot e kësaj dite Artur Daja nuk ka një varr, por emri I tij ka mbetur një mit që u sjell të dridhura atyre që kanë vuajtur krimet e tij. Hakmarrja ishte përmbyllur.
Top Channel