Administrata tatimore deklaron se të ardhurat në buxhetin e shtetit janë dëmtuar nga ecuria e dobët e investimeve në ekonomi.

“Ndërtimi ishte një faktor kryesor me rënie të tvsh i lidhur ngushtë me përfundimin e gazsjellësit Tap. Nga analiza jonë të gjithë sektorët e konsumit janë me rritje, por investimet kanë patur ulje. Dhe një pjesë e madhe e tvsh-së vjen nga investimet”, tha Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve.

Vitin e kaluar të ardhurat totale në buxhet rezultuan 115 milionë euro më pak se plani. Pjesa dërrmuese e mosrealizimit, gati 100 milionë euro, u shkaktuan nga rënia e ecuria e dobët e tatimit mbi vlerën e shtuar. Delina Ibrahimaj paralajmëroi se sektorët me rënien më të madhe të tvsh-së do të kalojnë në sitë kontrollesh të rrepta këtë vit.

Por kontrollet tatimore shpesh ushqejnë korrupsionin e tatimorëve. Për të ulur mundësinë e rryshfeteve, tatimet do të zbatojnë një sistem të ngjashëm me atë të policisë, kontrollin përmes teknologjisë.

Prej dy vitesh, të ardhurat që mblidhen në buxhet janë rritur me ritme të ngadalta dukë venë në vështirësi financat publike dhe duke rikthyer borxhet e prapambetura ndaj biznesit.

Klodian Tomorri

Top Channel