Petrit Malaj, “Mjeshtër i Madh”/ Aktori dhe Rektori i Universitetit të Arteve u nderua nga Presidenti

21/01/2020 19:57

Në kinematografi e kujtojmë më së shumti si doktor Bardhylin në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, ndërsa ka shumë kohë që mjeshtërinë e tij të aktrimit jua përcjell studentëve në Universitetin e Arteve si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.

Petrit Malaj u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke e quajtur atë pjesë të një brezi të artë të artistëve shqiptarë.

“Më është dhënë mundësia të interpretoj në filma me bashkëpunëtorë të shkëlqyer, me Kadri Roshin, Tinka Kurtin, Reshat Arbanën, Xhevdet Ferrin. Me shumë kolegë të tjerë të cilët i kam pasur idhuj dhe kanë qenë bashkëpunëtorë. Por fati ka vazhduar edhe me kolegët në Universitetin e Arteve që i kam bashkëpunçtorë të shkëlqyer”, shprehet Petrit Malaj.

Nëse bëjmë një kalim figurativ të film të roleve tuaja, do të zgjidhnit njërin?

“Unë kam dy personazhe që i kam të dashur. Kam Dard Zgurajn tek Balada e Kurbinit, që nuk është esenciali në film por ka një dramë shumë të madhe dhe së dyti kam Bardhylin, doktorin në filmin “Kur hapen dyert e jetës” me Rikard Ljarjan”, tha ai.

Role të tij të tjera i përkasin filmave “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, e “Kolonel Bunker” Ndërsa në teatër roli I fundit ka qenë tek “Vizita e Inspektorit” me regji Altin Bashës. Kur kujton të shkuarën Malaj kujton me keqardhje edhe kolegët e një brezi që po shuhet dita ditës.

“Së fundmi humbën Xhevdet Ferrin i cili na la boshllëqe në atë që ishte ai si një personalitet në fushën e filmit dhe teatrit”, thotë ai.

Ndërsa po me keqardhje kujton edhe kohën në të cilën prodhimi i filmave ishte më masiv.

“Ka ikur koha kur bëhej një film që kishte masivitet, apo të ketë një film me histori dhe personazhe virtuozë që Shqipëria i ka pasur dhe i ka”, ka thënë ai./Jetona Kocibelli/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA