Nëse po kërkoni këshilla për një jetë të mirë dhe një biznes të suksesshëm, i gjetët
Këta milionerë kanë pasur mentorë të jashtëzakonshëm përgjatë jetës, prandaj i pyetëm mbi këshillën më të vyer që kanë dëgjuar ndonjëherë.
1. “Nuk do t’ia dalësh kurrë pa mua”
Këshilla më të mirë dhe më të keqe ma dha i dashuri im dhe partneri im prej shumë kohësh. Më la për sekretaren time dhe më tha që s’do t’ia dal kurrë pa të teksa po largohej. Më mirë vdisja sesa ta lejoja veten të dështoja. Ajo fjali më bëri më të përkushtuar dhe më bëri të punoj më shumë thjesht për t’i vërtetuar të kundërtën atij. – Barbara Corcoran, themeluese e The Corcoran Group, anëtare e “Shark Tank.”
2. “Bëhu ekspert i diçkaje”
Këtë këshillë ma dha një pedagog në kolegj dhe që kur e dëgjova, jam përpjekur ta aplikoj kudo. Personalisht, jam eksperte në lidership, sipërmarrje, inovim produkti dhe prindërim. Profesionalisht, krijova një kompani që është eksperte në botën e bukurisë. – Marla Beck, themeluese e Bluemercury, që u ble nga Macy’s për 210 milionë dollarë, ideatore e M-16 Skincare dhe Lune+Aster Cosmetics.
3. “Çdo gjë që të ndodh në jetë është neutrale, deri kur ti i vë një etiketë”
Pas një aksidenti ku për pak vdiqa, më dukej sikur jeta s’ishte e drejtë. Në vend që të ndihesha me fat që isha gjallë, isha i nevrikosur dhe i acaruar. Pasi i shpjegova gjendjen time mentorit, më tha: “Të gjitha gjërat që të ndodhin në jetë janë neutrale deri kur i etiketon. Asgjë s’ka kuptim deri kur i jep kuptim.” Ai më ndryshoi perspektivën. Edhe kur nuk shihja dot dritën në fund të tunelit, kisha një zgjedhje. Mund të isha viktima ose mund ta përdorja mundësinë për të frymëzuar të tjerët. – Michael O’Brien, konsulent biznesi, autor dhe themelues i Peloton Coaching and Consulting dhe The Pace line Leadership Academy.
4. “Jep maksimumin në çdo gjë që bën. Rezultati s’është përgjegjësi e jotja“
Këto fjalë m’i tha themeluesi i departamentit të sipërmarrjes në kolegjin tim. M’u desh pak kohë deri sa e kuptova tërësisht këtë këshillë. M’u desh të përjetoja suksese dhe dështime. E vetmja gjë që mund të bësh është të japësh maksimumin. S’ka rëndësi nëse ndryshon diçka në botë. Dikush mund të të marrë punën, një konkurrent mund të nxjerrë në treg një produkt më të mirë ose dikush mund të të fusë pas krahëve. Nuk ke pse e stërmundon veten. – Matt Clark, bashkëthemelues dhe kryetar i Amazing.com
5. “Ka për të gjithë, thjesht duhet të marrësh atë që do”
Shumë vite më parë, ndihesha e humbur sepse s’po arrija dot synimet e mia. Shefja ime asokohe më frymëzoi me këtë këshillë; edhe pse ishte e zënë dhe e suksesshme, ishte e lirshme dhe e kishte situatën nën kontroll.
Teksa po diskutonim rritjet në detyrë, më tha këshillën e mësipërme. Aty kuptova se ka bollëk dhe begati për të gjithë. S’kam pse ndihem në faj për suksesin tim sepse e di që të gjithë kanë mundësi ta arrijnë. – Michelle Luchese, bashkëthemeluese dhe COO e Manly Bands.
Përshtatur nga USA Today
Top Channel