Oksigjen nga pluhuri i Hënës? Eksperimentet që mund të sjellin ndryshime revolucionare

21/01/2020 10:20

Edhe pse Hëna vetë nuk ka atmosferë, ajo ka shumë oksigjen të përzier me pluhurin e sipërfaqes së saj në formë oksidesh.

Vitin e kaluar, shkencëtarët realizuan një studim sesi mund të nxirrej oksigjeni nga ky pluhur, dhe tani, Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) ka hapur fabrikën e saj në Holandë, për ta provuar një gjë të tillë në realitet.

Nxjerrja e oksigjenit nga pluhuri i Hënës mund të lejojë astronautët në të ardhmen të marrin frymë lirisht atje, e ndoshta mund t’i hapë rrugën krijimit të kolonive dhe vendosjes së bazave afatgjatë në satelitin e vetëm natyror të Tokës. Fabrika holandeze përdor teknikën e njohur si elektroliza e kripës së shkrirë; nxehet klorid kaliumi në 950 gradë Celsius, pastaj lëshohet rrymë elektrike, që shkëput oksigjenin dhe bën që kripa të lëvizë drejt një anode ku mund të hiqet lehtësisht.

Analizat e shkëmbinjve tregojnë se regoliti hënor është i përbërë nga oksigjeni 40–45 për qind për nga pesha. Por ky oksigjen është i lidhur me elementë të tjerë në formën e mineraleve ose qelqit, ndaj duhet çliruar.

“Të jesh në gjendje të marrësh oksigjen nga burimet e gjetura në Hënë do të ishte padyshim e dobishme  kolonitë e ardhshme hënore, si për frymëmarrjen ashtu edhe në prodhimin atje në vend të karburantit të raketave”, thotë Beth Lomax nga Universiteti Glasgow.

Metoda për lëshimin e oksigjenit fillimisht u krijua nga një firmë tregtare në Britaninë e Madhe – Metalysis, e cila përqendrohet në shndërrimin e pluhurit në lidhjet metalike për prodhim.

Top Channel