Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu deklaroi se LDK nuk ka ofertë tjetër për Vetëvendosjen përveç asaj të dorëzuar së fundi.

“Ne e kemi bërë ofertën tonë dhe jemi në pritje që Vetëvendosja të japë përgjigjen e saj për të, sepse nuk kemi propozim tjetër..”, shprehet Veliu.

Që nga momenti i mandatimit të Albin Kurti nga presidenti Hashim Thaçi, afatet ligjorë kanë nisur të rrjedhin dhe kreu i VV-së ka dy javë kohë në dispozicion për të formuar ekzekutivin e ri. Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë 15 ditëve të ardhshme, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të synojnë sërish konkretizimin e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës. Në të kundërtën, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje mund të propozojë një qeveri të pakicës, me shpresën që do të arrijë të sigurojë në Kuvend 61 votat që I nevojiten për të nisur mandatin qeverisës.

Nëse as kjo nuk ndodh, atëherë sipas Krasniqit, do të shkohet në skenarin e tretë, i cili parashikon rol më të madh e më aktiv për presidentin, pasi sipas Kushtetutës, në këtë rast mandati do t’i jepej partisë të cilën kreu i shtetit e konsideron si më të përshtatshmen për të krijuar qeverinë. Dokumenti themeltar i Kosovës e parasheh që në rast se dështon formimi i ekzekutivit nga i mandatuari i parë për kryeministër, atëherë presidenti ka të drejtën të emërojë të mandatuarin e dytë, i cili duhet ta formojë qeverinë brenda afatit ligjor të 10 ditëve./Irida Vasia/

Top Channel