Tradhti nga punonjësi i ushtrisë gjermane/ 51-vjeçari i përcolli sekrete shtetërore Iranit?

20/01/2020 14:28

Një burrë gjermano-afgan përballet me akuzën e rëndë se i ka përcjellë sekrete shtetërore shërbimit sekret iranian.

Gjyqi i të dyshuarit si spiun për shërbimin e fshehtë iranian zhvillohet në qytetin perëndimor të Koblenz-it, në Gjermani. 51-vjeçari, punonjës i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, akuzohet për tradhti dhe nxjerrje të sekreteve zyrtare në 18 raste.

Gruaja e të dyshuarit do të dalë edhe ajo në gjyq, si ndihmëse e aktiviteteve të burrit të saj. 16 ditët e gjykimit të caktuara për të, megjithatë do të zhvillohen në muajin në mars. Abdul S. ka punuar për Bundeswehr-in në qytetin e vogël Daun, në rajonin Eifel në Gjermaninë perëndimore para se të prangosej në janar 2019. Për shkak të natyrës delikate të akuzave, gjykimi do të zhvillohet me dyert të mbyllura. Publiku nuk mund të marrë pjesë në një proces, ku trajtohen akuza në lidhje me sekrete zyrtare. Punonjësit e shërbimit të fshehtë gjerman e shohin Iranin si një nga shtetet më aktive në kryerjen e spiunazhit kundër Gjermanisë, së bashku me Kinën, Rusinë dhe Turqinë.

Sipas të dhënave të shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë, Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, shërbimi sekret iranian është gjithmonë në kërkim të “informatorëve të përshtatshëm për të përmbushur kërkesat e qeverisë iraniane.”

 

Top Channel