Posti i presidentit, që do të lirohet pas një viti, është bërë mollë sherri për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje mes lëvizjes vetëvendosje dhe lidhjes demokratike të Kosovës.

Person unifikues dhe jo politik, është kërkesa e partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit si edhe e njohësve të rrethanave politike. Për Avdullah Hotin, nga LDK, në kuadër të përpjekjeve për koalicion qeverisës, u takon atyre posti i presidentit.

“Ne kemi 30 vite që jemi themeluar dhe në shumicën e kohës kemi qenë në qeverisje. Nëse i shihni kuadrot që i ka propozuar LDK për pozitat më të larta shtetërore, për kryeministër, për kryetar të Kuvendit dhe president janë njerëzit më të respektuar të shoqërisë”, thotë Hoti.

Por, në anën tjetër, Arbërie Nagavci, nga vetëvendosje, nuk është kaq e sigurt për emërimin e një emri nga LDK në postin e presidentit.

“Jo domosdoshmërish duhet të jenë kuadro të LDK-së. Ne e kemi shprehur të qartë se do të dëshironim që të kemi një person i cili paraqet unitetin e popullit. Bashkë me LDK-në do të angazhohemi që të gjejmë një person, kandidat ose kandidate i cili në mënyrën më të mirë do të paraqiste unitetin e popullit”

Për pedagogun Mazllum Baraliu, LDK ka emra për këtë post, por varet se kush do të propozohet: “Sigurisht që LDK ka kuadro për president, por problemi është që kandidat të propozohen në kohën e duhur, jo tani kur është dikush tjetër aktiv dhe funksional me mandat kushtetues president aty”.

Analisti Riza Smaka thotë se është e pamoralshme që posti i presidentit të ofrohet kaq shpejt: “Emër mund të ketë, por nuk është e moralshme që qysh tash paraprakisht 1 vit më parë të garantohet posti i presidentit”.

Në diskutimet mes partisë LVV dhe LDK për formimin e qeverisë po negociohet edhe posti i presidentit. Pavarësisht se është thënë se LDK ka propozuar Kujtim Shalën për president, VV e ka mohuar një gjë të tillë. Madje edhe emri i kryetarit aktual Isa Mustafa, është përmendur për këtë post.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA