Gjermani/ Panairi më i madh në botë ka ditën e fundit. Shqipëria u përfaqësua nga…

19/01/2020 10:54

Panairi më i madh në botë për Caravanët, Motorët dhe Turizmin po mbyllet sot në Shtutgart, Gjermani pas një prezantimi 9 ditor. Eventi ku morën pjesë gati 100 shtete, 360 rajone e qytete dhe rreth 2200 biznese nga e gjithë bota priti më shumë se 260 mijë vizitorë.

Shqipëria u prezantua në panair nga operatorë të veçantë ose si ofertë e partnerëve të tyre gjermanë por në raport me vendet fqinje prania ishte shumë e vogël. Alfred Abazi njëri prej operatorëve thotë se megjithëse gjermanët do ti shpenzojnë më së shumti pushimet brenda vendit në 2020 për tregje si Shqipëria prurja turistike do të jetë në rritje.

I fokusuar këtë vit tek turizmi në natyrë panairi solli shumë oferta interesante nga rajoni. Anne Jaath nga Pferd & Reiter tregon se partnerët e tyre shqiptarë ofrojnë prej vitesh disa prej produkteve më të pëlqyera për klientët e tyre.

“Ne si Pferd &Reiter jemi krenarë të prezantojmë për klientët tanë udhëtimet me kuaj në Shqipëri.Partneri ynë shqiptar me të cilin bashkëpunojmë prej 8 vitesh ofron magjinë e natyrës së Shqipërisë, kulturën, ushqimin dhe kuajt që nuk do ta besoni por janë luftarakë dhe mund të shkelin terrene shumë sfiduese. Edhe këtë vit Shqipëria mbetet në listën e destinacioneve me vlerësimin më të lartë nga klientët gjermanë. ”

Interesin në rritje për Shqipërinë e konfirmon Petrit Tafaj një tjetër operator shqiptar që prezantoi në panair oferta të ndryshme nga Shqipëria.

Kosova u prezantua në panair me një stendë interesante që erdhi si bashkim i 5 operatorëve privatë ndërsa Mali i Zi ishte përzgjedhur këtë vit , vend partner i panairit të Shtutgartit.

CMT i premtoi publikut më parë se në panair do të gjente çdo destinacion pushimesh në botë, ide të reja pushimesh, kultura të reja dhe se vizita e panairit do të ishte një udhëtim ëndërrimtar përreth botës dhe në fakt numri i jashtëzakonshëm i vizitorëve e konfirmoi këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA