“Dua të të bëj të lumtur”/ Emisioni i parë, dedikimin për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit

19/01/2020 12:43

Puntata e parë e programit televiziv Dua të të bëj të lumtur, një produksion i Top Channel përcolli mbrëmë tek teleshikuesit emocione, lot, gëzim, falje, e shumë surpriza. Moderatorja Arbana Osmani dhe stafi i saj e nisin këtë sezon me dedikimin për të prekurit nga tërmeti  i 26 nëntorit.

Arjani nga fshati Bubq ishte i pari që preku studion e Dua të të bëj të lumtur. I prekur rëndë nga tërmeti, Arjani kishte zgjedhur këtë program televiziv për t’u bërë një surprizë dy fëmijëve të tij.

Për të ndihmuar Arjanin që të realizonte këtë surprizë të ftuar ishin dy aktorët e “Portokallisë”, Florian Binaj dhe Irgen Çela, të preferuarit e Fabios dhe Alehandros.

Personazhi i tjetër në program ishte Kastrioti, i cili u bë i njohur nga të gjithë, pasi videoja e tij me kryeministrin Rama u bë virale në rrjetet sociale, ku i tregonte kryeministrit se i kishin marrë bashkëshorten dhe e kishin dërguar në hotel.

Në studio u zbulua se Kastrioti kishte probleme në komunikim, të cilat vinin si pasojë e çrregullimeve neurologjike dhe se ishte martuar me bashkëshorten e tij, Dranden me mblesëri.

Kastrioti i është drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar Drandes që të kthehen sërish sëbashku, pasi sipas tij nuk mund të jetonin në hotel sepse e kishte të vështirë që të përshtatej. Por Drande u shpreh se nuk kishin mundësi ekonomike që të përballonin një shtëpi me qira dhe se hoteli ishte zgjidhja e vetme për ta.

Bashkëshortët Sali dhe Resmije Jangozi ishin çifti nga Thumana që ndanë me teleshikuesit dhimbjen e tyre pas shkatërrimit të shtëpisë nga tërmeti. Fatkeqësisht shtëpia për të cilën kishin sakrifikuar gjithçka për 40 vjet u shkatërrua brenda disa sekondave, duke i detyruar ata që të jetojnë në çadër.

Por për ta ishte rezervuar surpriza e madhe, pasi një kompani mori përsipër ndërtimin e shtëpisë së tyre.

Gazetarët e redaksisë së lajmeve të “Top Channel” Muhamed Veliu, Anila Hoxha dhe Andi Bora kishin zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” pasi kishin një kërkesë për një nga banoret e qytetit të Durrësit, banesa e së cilës u shpall e pabanueshme. Ermioni Popa, e fundit e familjes së saj që ka një histori të rrallë që nis në vitin 1985 me hyrjen familjarisht në Ambasadën Italiane, nuk pranonte të dilte nga shtëpia. Rezistenca e saj për të mos dalë, kuriozoi jo pak qytetarët.

Pavarësisht kërkesës së tyre, Ermioni refuzoi që të largohej nga banesa. Dëshira e saj ishte të kishte një televizor dhe një dekoder që të mund të ndiqte lajmet dhe programet e saj të preferuara, dëshirë që u përmbush nga programi “Dua të të bëj të lumtur”.

Ermioni përcolli batuta pa fund, duke vënë në siklet gazetarët që e kishin thirrur.

Historia e fundit që mbylli puntatën e parë të programit “Dua të të bëj të lumtur” ishte ajo e vëllezërve Abazi nga qyteti i Gjilanit.

Shemsedin dhe Isa Abazi humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit, në qytetin e Durrësit. Në studio kishte ardhur xhaxhai i tyre, Ramadan Abazi për të falenderuar publikisht një ndër artistët më të dashur të muzikës shqiptare, këngëtarin Ermal Fejzullahu, I cili dhuroi një shumë prej 100 mijë eurosh për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA