Kriza e Napolit s’ka fund, Fiorentina e Iachinit e turpëron në “San Paolo”

18/01/2020 23:52

Për herë të parë në këtë sezon Napolon pëson tri humbje radhazi, duke konfirmuar krizën e thellë të rezultateve me Gattuson trajner. Në dy ndeshjet paraardhëse, napolitanët ishin mundur nga Interi dhe Lazio, ndërsa shuplakën e radhës, atë më të rëndën ia jep Fiorentina brenda në “San Paolo”.

Në një stadium thuajse të boshatisur vendasit luajtën pa busull duke pësuar dy gola, një në çdo pjesë, dhe pa mundur që të reagonin për të ndryshuar rrjedhën e lojës.

Federico Chiesa përmbylli në mënyrën më të mirë të mundshme një aksion model të skuadrës vjollcë në minutën e 26-të, duke i dhënë goditjen e parë Napolin, ndërsa atë të “knock aut”-it ia dha Vlahovic në të 74-ën.

Asgjë s’mundi të bënte Napoli në minutat e mbetura, veçse të pranonte rezultatin, që vë nën akuzë futbollistët dhe trajnerin Gattuso, që nuk po arrin ta nxjerrë ekipin nga një labirint i errët, ku ka hyrë prej shumë javësh.

Duket e ringjallur Fiorentina me trajnerin Iachini, megjithatë i duhet ende një seri e gjatë rezultatesh pozitive për të synuan zonën europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA