Trupat e shtatë personave janë gjetur në një varr masiv në një zonë indigjene të Panamasë e kontrolluar nga një sekt fetar.
Të ndjerit përfshijnë një grua shtatzënë dhe pesë fëmijët e saj, shkruan BBC.
Autoritetet besojnë se një sekt fetar kryente ekzorcizëm ndaj viktimave në rajonin Ngäbe-Buglé në veri-perëndim të Panamasë.
Dhjetë persona janë arrestuar nën dyshimin për vrasje.
Prokurorët njoftuan të enjten se po hetonin rastin.
Prokurori i lartë, Rafael Baloyes tha se varri u zbulua pasi vendasit paralajmëruan autoritetet fundjavën e kaluar për disa familje që mbaheshin kundër vullnetit të tyre nga një kishë e drejtuar nga indigjenët.
Zona ku u gjetën kufomat është një zonë e largët rreth 250 km (155 milje) nga Panama City. Ajo kontrollohet nga një sekt fetar i quajtur Drita e Re e Zotit.
Të dyshuarit, të cilët përfshijnë një të mitur, pritet të paraqiten në gjykatë të Premten ose të Shtunën.
Një burim i afërt me hetimin i tha agjencisë së lajmeve AFP se një prej të arrestuarve është babai i gruas shtatzënë të gjetur në varr.
Top Channel