Lev Parnas, bashkëpunëtori i akuzuar i avokatit personal të Presidentit Trump, i cili u përpoq të bindë Ukrainën që të hetonte ish-nënpresidentin Joe Biden, tha se Presidenti ishte në dijeni të aktiviteteve të avokatit të tij personal Rudy Giuliani në Ukrainë.
Presidenti Trump e ka mohuar se e dërgoi avokatin personal Rudi Giuliani në Ukrainë për të kërkuar fakte diskredituese për zotin Biden, rivalin e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.
Por Lev Parnas i tha rrjetit televiziv MSNBC se Presidenti Trump ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të tij. “Unë nuk do të bëja asgjë pa pëlqimin e Rudy Giulianit ose të presidentit,” tha ai. Parnas tha gjithashtu se ai kishte shkuar në terren pikërisht për të bërë punën e tyre.
Parnas, biznesmen me origjinë ruse dhe Igor Fruman, një bashkëpunëtor tjetër i zotit Giuliani, janë akuzuar për kontribute të paligjshme ndaj fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e 2016. Që dy kanë deklaruar se nuk janë fajtorë. Parnas i tha rrjetit MSNBC se udhëheqësit e Ukrainës nuk kishin asnjë arsye të takoheshin me të. “Por ishin ata, njerëzit e Presidentit Trump, që u thanë të takoheshin me mua. Dhe ky është sekreti që ata përpiqen të fshehin,” tha Lev Parnas.
Ai shtoi se interesi i Presidentit Trump për Ukrainën nuk ishte aspak çrrënjosja e korrupsionit qeveritar. Gjithçka ishte “për Joe Bidenin dhe të birin, Hunter Biden”. I pyetur për pohimet e Presidentit Trump se nuk e njeh atë, Lev Parnas tha: “Ai gënjen” dhe shtoi se ai ishte me avokatin Giuliani katër ose pesë ditë në javë në Ukrainë, kohë gjatë së cilës Presidenti Trump ishte në kontakt të vazhdueshëm me avokatin./VOA
Top Channel