Me interes të madh është ndjekur jo vetëm nga mediat vendase, por edhe ato të huaja, takimi i gjeneralit libian Khalifa Haftar me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias dhe më pas me kryeministrin Mitsotakis.
Greqia, e cila ka shprehur pakënaqësinë e saj që nuk do të jetë pjesë e samitit të Berlinit për Libinë, po operon diplomatikisht të fitojë rolin e saj si palë e prekur direkt nga kriza në Libi dhe rajon.
“Nga ana jonë ne i dhamë kurajo gjeneralit të marrë pjesë në një frymë konstruktive në procesin e Berlinit dhe të operojë në këto kushte për të arritur një armëpushim dhe sigurinë në Libi, largimin e mercenarëve edhe anulimin e memorandumeve të paligjshme mes Turqisë dhe qeverisë Saraj. Duhet t’ju them me gëzim të madh se ra dakord me të gjitha”, tha Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë.
Pas takimit të gjeneralit libian me kreun e diplomacisë greke, ky i fundit ka deklaruar se Greqia është e gatshme të çojë forca ushtarake në Libi.
“I thashë gjeneralit se Greqia është e gatshme të ndihmojë të nesërmen e paqes në Libi, qoftë me forca për të siguruar armëpushimin apo me pjesëmarjen e forcave greke në operacionin evropian në embargon e armëve dhe transportin e mercenarëve nga Libia”, u shpreh Dendias.
Dendia i ka bërë gjithashtu thirrje Gjermanisë si vend pritës i samitit, të tregojë se është mbrojtëse e pozicionimit evropian për Libinë duke bërë të qartë se Greqia kërkon anulimin e dy memorandumeve që qeveria e Tripolit ka nënshkruar me Ankaranë, duke përvetësuar sipas saj në mënyrë të paligjshme pjesë të mëdha të ZEE greke në Mesdheun lindor.
Ndërsa gjenerali libian është takuar edhe me kryeministrin Mitsotakis ,janë komunikuar edhe katër ndryshime të rëndësishme të krerëve të forcave të armatosura të Greqisë, fakt që ndodh në një moment të përshkallëzimit të tensioneve me Turqinë.
Top Channel