Në Shqipëri ndodhej sot komisionieri i zgjerimit, Oliver Varhelyi. Komisioneri i ri për zgjerimin, në një konferencë të përbashkët për mediat, me kryeministrin Rama ka thënë se shpreson shumë që negociatat të nisin përpara samitit të Zagrebit.
Kryeministri Edi Rama pas mbarimit të konferencës për mediat, së bashku me Komisionerin e ri të Zgjerimit të BE Olivér Várhelyi vizitoi zonat e prekura nga tërmeti në Durrës.
Pas vizitës së kryer në Durrës, Varhelyi me anë të një postimi në rrjete sociale ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Në postimin e tij komisioneri shton se BE do të organizojë konferencë ndërkombëtare të donatorëve më 17 shkurt në Bruksel.
“Ne qëndrojmë pranë Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues! Komisioni i BE do të organizojë konferencën ndërkombëtare të donatorëve, që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel. Është e rëndësishme që partnerët dhe institucionet financiare ndërkombëtare të kontribuojnë në rindërtim”, ka shkruar komisioneri në twitter.
Top Channel