Pas një pune që ka nisur që në muajin e fundit të vitit të kaluar, Interi është gati të konkretizojë negociatat dhe të prezantojë futbollistët e nevojshëm për organikën e Antonio Contes, teksa i pari pritet të jetë Leonardo Spinnazzola.
Ky i fundit është përfshirë në një marrëveshje shkëmbimi me sulmuesin Mateo Politano, por forma fizike e mbrojtësit po mbante peng zyrtarizimin e marrëveshjes, ndërsa sipas mediave pranë klubit zikaltër, tani janë zgjidhur të gjitha detajet.
Kështu është vendosur që futbollistët të shkëmbehen kokë më kokë në huazim me të drejtë blerjeje, që shndërrohet në detyrim blerjeje nëse lojtarët koleksionojnë 15 paraqitje deri në fund të sezonit, pavarësisht minutazhit.
Nesër pritet që Spinnazzola të prezantohet me fanellën e Interit dhe të vihet nën urdhrat e Contes, që “fërkon duart”, pasi tani do të ketë në dispozicion një lojtar anësor që e njeh mirë atë rol, pasi e ka bërë me mjaft sukses edhe te Atalanta.
Ndërkohë në Milano ka mbërritur edhe menaxheri i Christian Eriksen dhe tani duket se jemi shumë pranë zyrtarizimit të fantazistit danez në klubin zikaltër, ndërsa në këmbim Tottenham do të marrë 15 milionë euro, ose do të përfshihet kartoni i Matias Vecinos.
Mjaft të avancuara janë edhe negociatat për të veshur zikaltër Olivier Giroud dhe Ashley Young, dy lojtarë të tjerë që vijnë nga Premier League dhe që po lihen pushim nga trajnerët përkatës, në pritje të transferimit në Milano.
Sipas mediave italiane, fundjava pritet të jetë “mjaft e nxehtë” në Milano, me Antonio Conten që pritet të ketë në dispozicion një organikë shumë më të plotë dhe më konkurruese, që do t’i lejojë të synojë titullin kampion që në sezonin e parë në stolin e Interit.
Top Channel