Fëmijët që denoncojnë prindërit/ Të lënë vetëm në shtëpi telefonojnë në linjën Alo 116111

16/01/2020 12:18

Kjo është një ditë e zakonshme nga puna e operatorëve të linjës kombëtare pa pagesë të këshillimit për fëmijë ALO 116111.

Neglizhenca nga prindërit është një fenomen që çdo ditë e më shumë bëhet evidente nga vetë fëmijët si p.sh. ky rast, ku u ndodhëm edhe ne.

“Ajo që ndeshim janë raste të shtuara neglizhence nga prindërit. Ata kur vijnë vonë në shtëpi vazhdojnë të shikojnë laptopin dhe dërgojnë email pune, shohin televizor, nuk kanë kohë të flasin me fëmijët. Ne trajtuam 46 raste neglizhence vitin e shkuar”, thotë Mirgit Vataj, Drejtor Ekzekutiv, Alo 116111.

Ekziston mendimi se shtresa e varfër i lë pas dorë fëmijët teksa përpiqen për mbijetesë.

“Jo nuk është e vërtetë, janë nga shtresa e intelektualëve kryesisht”, shton Vataj.

Alo 116111 funksionon që prej 10 vjetësh. Vetëm vitin e shkuar operatorët që punojnë 24 orë në shtatë ditë të javës kanë marrë rreth 35 mijë telefonata.

Dhuna fizike e seksuale, bulizmi, probleme të shëndetit mendor, çështjet e sigurisë në internet janë disa nga problemet e një diapazoni të gjerë që trajtohen nëpërmjet kësaj linje./Juli Ristani/

Top Channel