Një ditë pas ofertës së fundit të Vetëvendosjes, LDK-ja ka bërë publikë propozimin e saj.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti bëri publike ofertën që që i kanë dorëzuar sot Lëvizjes Vetëvendosje, ku sqarohet se kanë kanë kërkuar kryetarin e kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, e pastaj kryepalamentari i kthehet VV-së. Numri i ministrive ndërkohë mbetet 12, vetëm se bëhen disa ndryshime në strukturë. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komunitetet jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja”, tha Hoti.
Si rezultat i kësaj marrëveshje deri në zgjedhjen e Presidentit, VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërsa LDK do të ketë Kreun e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të tij, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri. Vetëvendosja kishte propozuar një ditë më parë shtimin e numrit të ministrive në 14, por LDK duket nuk e konsideron këtë të nevojshme. Aktualisht nuk dihet se kur mund të ndodhin takime të reja ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për vazhdimin e negociatave, port ë dyja janë duke u përballur me një trysni të madhe publike për të përshpejtuar procesin e formimit të qeverisë së re.
Top Channel