Kosova është radhitur e 33-ta në studimin e ri të Bankës Botërore, “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2020”, që analizon 190 ekonomi, duke përcjellë se si ligjet ndikojnë tek gratë në fazat e ndryshme të jetës së tyre profesionale.
Ky indeks mbulon 8 fusha të strukturuara rreth ndërveprimit të grave me ligjin gjatë karrierës së tyre: Mobiliteti, Vendi i punës, Pagesa, Martesa, Prindësia, Ndërmarrësia, Asetet, dhe Pensioni. Kosova ka shënuar nga 100 pikë në të gjitha këto fusha, me përjashtim të Prindësisë ku ka shënuar 60 pikë dhe Pensionit ku ka shënuar 75 pikë.
“Të drejtat ligjore për gratë janë të mira edhe nga perspektiva ekonomike. Kur gratë mund të lëvizin më lirshëm, të punojnë jashtë shtëpisë dhe të menaxhojnë asete, ato ka më shumë gjasa t’i bashkohen fuqisë punëtore dhe të ndihmojnë forcimin e ekonomive të vendeve të tyre”, ka deklaruar Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass. “Ne qëndrojmë të gatshëm të ndihmojmë derisa çdo grua të mund të lëvizë nëpër jetën e saj pa u ballafaquar me pengesa ligjore për suksesin e saj”, ka shtuar ai. Studimi i plotë: https://wbl.worldbank.org/
Top Channel