Para dhjetë vitesh janë zbuluar në Gjermani skandalet e abuzimeve seksuale të përfaqësuesve të kishës katolike. Skandali ka përfshirë shumë njerëz dhe ende nuk është mbyllur.
“Kur shikoj të kaluarën dhe bëj një retrospektivë, e kuptoj se vërtet nuk kam pasur fat. Kam qenë në vendin e gabuar në kohën e gabuar…” Kështu Matthias Katsch fillon rrëfimin e tij për abuzimet e përjetuara seksuale nga ana e priftërinjve katolikë. Tani 57-vjeçari Katsch ka shkruar edhe një libër me titull “Me qëllim që të ndërpritet – Lufta çlirimtare e viktimave të dhunës fizike në kishë”, e cila do së shpejti do të dalë në shitje, përshkruan ngjarjet që ka përjetuar në vitin 1973, kur ka ndjekur mësimet fetare në shkollën katolike Canisius College.
37 vite më vonë, me 14 janar 2010, ai së bashku me dy shokë të klasës, ishte nisur sërish për në shkollë, por kësaj radhe për t’u përballur me drejtorin Klaus Mertes me pyetje shumë të pakëndshme. Michael Katsch i është drejtuar me shkrim ish-nxënësve të kësaj shkolle dhe ka kërkuar të lajmërohen viktimat e dhunës seksuale atje. Pas kësaj letre, janë lajmëruar më shumë se 100 viktima, të cilët kanë pranuar se janë abuzuar seksualisht. Dy javë më vonë, kjo temë është publikuar nga media. Numri i rasteve të dhunës seksuale në kishë, rritej nga dita në ditë dhe vërshuan opinionin. Skandalet e abuzimeve seksuale me fëmijë nga ana e priftërinjve të kishës katolike nuk kanë përfunduar ende.
Mijëra abuzues, mijëra viktima dhe dhjetëra mijëra krime
Peshkopët katolikë kanë reaguar në fillim me mllef të madh, por shumë shpejt kanë shprehur shqetësimin e thellë për këto ngjarje. Më shumë flisnin për prevencionet sesa për përballjen me të kaluarën dhe përpunimin e krimeve. Më pas edhe politikanët filluan të merren me këtë temë dhe insistonin që këto krime të zbardhen deri në fund. Më në fund, në vitin 2018, u publikuan të dhënat zyrtare të një studimi të kryer me urdhër të vet kishës, por dyshohet se këto të dhëna nuk do të jenë kurrë të plota. Autorët e studimit kanë publikuar shifrën e 3.777 viktimave të dhunës seksuale, të cilat, sipas të dhënave të kishës, janë kryer në periudhën prej vitit 1946-2014. Përgjegjës për këto krime janë të paktën 1.670 përfaqësues të kishës. Por në këtë studim nuk janë përfshirë të gjitha institucione,t ku janë bërë krime të këtilla. Gati një e treta e priftërinjve ka qenë emocionalisht ose seksualisht të papjekur. Kardinali Reinhard Marx, kryetar i Konferencës së Peshkopëve, foli për të “dhëna shokuese” dhe “dështimin e institucioneve”, si dhe fshehjen e krimeve. Për peshkopin Stephan Ackermann, këto krime paraqesin “një kthesë në historinë e kishës katolike në Gjermani”.
Canisiuskolleg në Berlin, një nga shkollat ku u zbulua abuzimi seksual i priftërinjve
Prej vitit 2010 e deri më sot peshkopët kanë kërkuar disa herë ashpërsimin e masave për evitimin dhe për mbrojtjen nga dhuna seksuale. Autoritetet e kishës kërkojnë edhe transparencë në zbardhjen e këtyre krimeve. Por një nga kërkesat kryesore të të “mbijetuarve”, siç e quajnë veten ata që kanë përjetuar abuzime seksuale, ende nuk është realizuar. Asnjë prej tyre deri më sot nuk ka marrë dëmshpërblim për këto krime, deklaroi zëdhënësi i viktimave, Matthias Katsch, për gazetën “Der Spiegel”. “Askush kurrë nuk ka marrë asnjë euro dëmshpërblim. Janë paguar vetëm paratë për ata që kanë pranuar se janë bërë krime mbi ta, në vlerë prej më së shumti 5.000 euro për person. Jemi duke pritur përgjigjet e peshkopëve, sepse ne kemi kërkuar që viktimat të paguhen me nga 400.000 euro për person”, thotë Katsch. Bisedimet po vazhdojnë. Katsch thotë se duhet të krijohet edhe një komision për “zbardhjen e të vërtetës së abuzimeve sekusale”. Por të prekurit për fat të keq, deri tani, nuk kanë arritur të realizojnë këto kërkesa.
Deri në Vatikan
Publikimi i skandaleve në Gjermani ka ndikuar që këto gjëra të zbardhen edhe në vende dhe kontinente të tjera. Dikur njeriu i tretë i Kishës Katolike, kardinali australian George Pell, gjendet tani në burg, për shkak të abuzimeve seksuale. Disa kardinalë të tjerë janë tërhequr nga postet e tyre. Vatikani ka larguar nga puna me qindra priftërinj dhe dhjetëra peshkopë, të cilët janë dërguar në pension të parakohshëm.
Inhaftierter Kardinal geht gegen Missbrauchsurteil in Berufung (picture-alliance/dpa/D. Crosling)
Njeriu i tretë i Kishës Katolike, kardinali australian George Pell në burg, për shkak të abuzimeve seksuale
Në anën tjetër, prej zbardhjes së këtyre krimeve në vitin 2010, nga kisha katolike janë larguar me miliona anëtarë gjermanë. Raste të abuzimeve seksuale në kishë janë publikuar ndërkohë edhe në Poloni, Itali, Argjentinë dhe në vendet e Afrikës apo Azisë. Papa Françesku në shkurt të vitit 2019 ftoi në Vatikan në një konferencë përfaqësuesit e kishës nga mbarë bota. Papa ka kërkuar zbardhjen e krimeve, por shumëkush ishte i dëshpëruar me rezultatet e konferencës.
Rastet e zbardhjes së krimeve të këtilla po vazhdojnë edhe sot. Në Liban janë nisur së fundi hetimet për abuzime sekusale në bashkësinë fetare „Mission de Vie”. Të martën në Lyon të Francës ka filluar gjykimi i një prej kriminelëve më të mëdhenj – një ish-peshkopi, i cili ka pranuar se ka abuzuar seksualisht me dhjetëra të mitur. Njëkohësisht rrjeti “Ending Clergy Abuse” (ECA) planifikon që në shkurt të rishikojë rezultatet e arritura prej konferencës së ftuar nga Papa deri më sot./DW
Top Channel