Vendimi për ti besuar stolin Emanuel Egbos në vijim të kampionatit nga ana e drejtuesve të klubit të Tiranës, nuk ishte aspak i vështirë duke pasur parasysh rezultatet që ja doli skuadra të arrinte me të në krye.
Bardheblutë po zhvillojnë fazën përgatitore në Antalia dhe për Top Channel Egbo ka treguar gjendjen e skuadrës momentalisht duke vlerësuar mënyrën se si janë stërvitur dhe si janë paraqitur mbi të gjitha në 3 miqësoret e luajtura aty.
“Skuadra është paraqitur mirë, në 3 miqësoret e zhvilluara më ka pëlqyer, pavarësisht humbjes në ndeshjen sot. Lojtarët po stërviten si duhet dhe mund të them që jemi gati për të vijuar kampionatin, ndoshta jo me ritmin e 3 ndeshjeve të fundit por ndjej që ekipi është gati”, shprehet Emanuel Egbo- Trajner i Tiranës.
Largime ne mbrojtje dhe asnjë afrim deri tani, kjo padyshim duhet të ndryshojë dhe me merkaton e kësaj periudhe sigurisht që në kampion bardheblu mendojnë përforcime. Egbo e thotë qartë, Tirana ka nevoje për lojtarë.
“Kemi pasur dy largime në mbrojtje. Nuk kam folur me presidentin në lidhje me merkaton por mendoj që do afrohet minimum një futbollist që mund të luaj në qendër dhe në krah. Na duhet një mbrojtës!”, thotë Egbo.
Top Channel