Kremlini bëri të ditur se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka emëruar shefin e Shërbimit Federativ të Taksave, Mikhail Mishustin, për kryeministër të ri të Rusisë.
Ky veprim erdhi vetëm pak orë pasi Dmitry Medvedev dhe qeveria e tij dhanë dorëheqje, në përgjigje të thirrjes së Putinit për ndryshime të mëdha kushtetuese.
Mishustin, 53 vjeç, ka punuar në Qeverinë ruse qysh në vitin 1998.
Ai ka mbajtur një profil të ulët si shef i Shërbimit Federativ të Taksave – pozitë që ka mbajtur qysh në vitin 2010. Mediat ruse raportojnë se Putin e ka dërguar kandidaturën e Mishustinit në parlament për miratim.
Të mërkurën, presidenti rus, gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, bëri thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.
“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, tha Medvedev, teksa njoftoi për dorëheqjen.
Putin, duke iu adresuar Asamblesë Federale, tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.
Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit. Putin po ashtu tha se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.
“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.
Ai po ashtu tha se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.
Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999. Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar. Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit./REL
Rusi/ Kryeministri Medvedev jep dorëheqjen
Top Channel