Bonuset e qirasë për të dëmtuarit nga tërmeti kanë nisur të lëvrohen që në fund të dhjetorit, por banorët e një pallati të shembur në Shkozet të Durrësit nuk kanë mundur të përfitojnë prej tij ndaj kanë protestuar mesditën e së martës.

Një gabim në sistemin online të gjendjes së godinave në Durrës e vlerëson pallatin nr. 458 në Shkozet si të banueshëm ndërsa më 8 dhjetor pallati u shemb nga IKMT me shpërthim të kontrolluar.

Sipas banorëve, kjo është një vrasje e dytë për ta, ndërkohë që kishin raportuar dhe mbi dëmtimin e strukturës së pallatit nga ndërhyrja në katin e parë të tij nga një subjekt privat edhe 2 ditë para rënies së tërmetit të 26 nëntorit.

Banorët kanë mbetur pa strehë dhe shumë prej tyre nuk e përballojnë dot pagesën e qirasë, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e shpejtë për situatën e tyre si dhe mundësinë që sa më parë të nisë rindërtimi i pallatit në të njëjtin vend.

Në bashkinë e Durrësit thanë për Top Channel se lista me 24 familjet e këtij pallati do të kalojë sa më parë për lëvrimin e bonusit të qirasë, ndërsa është rregulluar dhe lapsusi në sistem.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA