Protestuesit iranian dolën në rrugë në ditën e tretë të demonstratave kundër qeverisë pasi ajo pranoi se rrëzoi gabimisht një avion ukrainas pasagjerësh, duke vrarë të 176 personat në bord.

Video të postuar në internet tregojnë studentët pranë universiteteve në Teheran dhe Isfahan të hënën duke brohoritur para pushtetarëve të vendit, “Klerikë shporruni!” Në videot nga një natë më parë duken forcat e sigurisë që qëllonin me municion dhe gaz lotësjellës ndaj protestuesve në Teheran.

Autoritetet mohuan se hapën zjarr por agjensia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars njoftoi se policia kishte “qëlluar me gaz lotsjellës në disa zona” në përpjekje për të shpërndarë demonstruesit. Videot treguan se protestuesit po kolliteshin dhe pështypeshin ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga tymi i gazit lotësjellës. Zëri i Amerikës nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e videove. Shefi i policisë së Teheranit, Gjenerali Hossein Rahimi, këmbënguli se autoritetet i trajtuan protestuesit me “durim dhe tolerancë.

“Policia nuk ka qëlluar në tubime pasi mprehtësia dhe përmbajtja kanë qenë synimi i forcave të policisë së kryeqytetit,” cituan mediat iraniane. Protestat shpërthyen pasi Irani të shtunën pranoi se “gabimi njerëzor” bëri që një operator rakete të qëllonte avionin Boeing 737 të mërkurën e kaluar. Aksidenti ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 16 raketa balistike në bazat irakiane ku strehohen forcat amerikane në shenjë hakmarrjeje për Presidentin Donald Trump që urdhëroi sulmin me dronë të 3 janarit në aeroportin e Bagdadit që vrau Qassem Soleimani, komandantin e Forcave Kuds të Gardës Revolucionare.

Ndërsa filluan protestat kundër udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Trump shprehu mbështetje për demonstruesit dhe paralajmëroi zyrtarët iranianë, “Mos vrisni protestuesit tuaj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA