Një nga artistet e njohur europian, italiani Armin Linke, zgjodhi fototekën kombëtare “Marubi” për të promovuar disa nga fotografitë e tij më të mira në 30 vitet e fundit.
Ekspozita “Një skedar apo ndoshta dy – Mënyrat e Fotografimit” përbëhet nga dy pjesë, njëra vizuale e tjetra tekstuale, që vijnë si rezultat i një punë kërkimore, thellimi e sistemimi të arkivit fotografik të vetë autorit me mbi 500.000 imazhe.
Linke thotë se ka zgjedhur Shkodrën që të promovojë për hëre të parë këto 700 imazhe që formojnë një hartë ngjarjesh e veprimesh në të gjithë botën.
“Jam shumë i emocionuar nga ky muze, nga përmbajtja historike dhe ruajtja me preçision e materialeve brenda tij, prandaj edhe këtë ekspozite e kemi punuar, duke i bërë një homazh këtij arkivi, pasi është hera e parë që publikoj 700 imazhe të punës time mbi 30 vjeçare.
Është një lloj harte, me idenë që të mos shihet një imazh i vetëm, por një koreografi e imazheve, e ngjashme me një harte gjeografike, apo një partiture muzike. Janë shumë vende të ndryshme të botës dhe ajo qe gjen shpesh brenda këtyre imazheve, është gjesti.
Gjesti i të konservuarit por edhe të kërkosh të shohësh e shpjegosh botën, nga atelieja e artistit, si në parkun skenik teatral, apo një kartografi politike. Është një prezantim i hapësirës së botës dhe publiku mund të bashkojë këtë pazëll”, thotë ai.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin Mars.
Klodian Zhivani
Top Channel