Zyrtarët e qeverisë amerikane po vëzhgojnë dhe presin, ndërsa shumë besojnë se është vetëm çështje kohe përpara se Irani të godasë me një sulm kibernetik si hakmarrje ndaj sulmit amerikan ku u vra komandanti i Forcave “Quds” Qassem Soleimani.
Sipas këshillës më të fundit që ka dhënë Departamenti i Sigurisë Kombëtare ende nuk ka “kërcënime specifike, e të besueshme” për Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarët thonë se garancitë që ka thënë publikisht Irani se i ka dhënë fund hakmarrjes nuk do të thonë asgjë.
“Irani ka qenë një nga aktorët më të këqij”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të enjten. “Ne jemi shumë të shqetësuar rreth aftësive e aktivitetit të Iranit”, shtoi ai.
Zyrtarët e qeverisë amerikane kanë qenë në mëdyshje të komentojnë çdo detaj mbi aktivitetet në internet të aktorëve iranianë përgjatë ditëve të fundit.
Ata thonë se aftësitë e Iranit janë të të njëjtit nivel me ato të Rusisë, Kinës e Koresë së Veriut kur është fjala për përdorimin e sulmeve kibernetike me synim sistemet e kontrollit industrial ose infrastrukturën.
“Departamenti i Sigurisë Kombëtare po punon me ritëm për të përmirësuar koordinimin dhe ndërgjegjësimin mbi situatën nëse shfaqen ndonjë kërcënim specifik”, i tha një zëdhënës i departamentit Zërit të Amerikës.
Ai shtoi tha se departamenti po bashkërendon punën me agjencitë e zbulimit amerikane, kompani e organizata kryesore të sektorit privat dhe është i gatshëm të “zbatojë masa të zgjeruara mbi sigurisë, sipas nevojave”./VOA
Top Channel