Misioni i OSBE-së ka publikuar sot një përmbledhje gjithëpërfshirëse mbi jetën dhe gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Kjo përmbledhje mbulon 24 komunat e Kosovës ku jetojnë këto komunitete. Për secilën komunë ofrohet një pasqyrë e shkurtër demografike, listë e vendbanimeve, si dhe të dhëna statistikore për infrastrukturën, punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor, përfaqësimin në vendimmarrje, kthimin dhe riatdhesimin.
“Shpresojmë që kjo përmbledhje të shërbejë si burim informimi, por edhe mobilizimi për mjete e resurse vendore e ndërkombëtare në ndihmë të mëtutjeshme për këto komunitete,” tha Dominik Drasnar, këshilltar i lartë për komunitete në OSBE.
“Kjo pasqyrë paraqet perspektivën lokale, andaj mund të shërbejë edhe si udhëzues për zhvillimin e programeve që kanë për cak aspekte të ndryshme. P.sh., nëse donatorët janë të interesuar për një komunë të caktuar, ata kanë informata të gatshme në dispozicion për atë komunë. Ose, nëse janë të interesuar për një fushë të caktuar tematike, si për shembull arsimi, shumë lehtë mund ta shohin se si është gjendja në komunën gjegjëse,” shtoi ai.
Në përputhje me mandatin që ka, Misioni punon në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Misioni ka fokus të veçantë në sigurimin e përfaqësimit të pjesëtarëve të komuniteteve në proceset e vendimmarrjes, si dhe përqendrohet në zhvillimin e politikave efektive të përfshirjes dhe rritjen e aftësive të tyre të punësimit. Në vitin 2020, Misioni do të fillojë të sponsorizojë skema gjithëpërfshirëse për punë praktike për të diplomuarit e përzgjedhur nga të tre komunitetet.
Lexoje raportin duke klikuar këtu.
Top Channel