Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha të enjten se ka prova që tregojnë se ishte një raketë iraniane ajo që rrëzoi aeroplanin ukrainas me pasagjerë dhe se goditja mund të ketë qenë e paqëllimshme, siç tha ai.
Zoti Trudeau tha se pohimet e tij mbështeten tek burimet kanadeze të zbulimit dhe ato disa vendeve aleate, por ai nuk dha më shumë detaje.
Komentet e kryeministri kanadez pasojnë pohimet e bëra nga zyrtarë amerikanë më herët gjatë ditës së enjte se aeroplani i Ukrainës që u rrëzua në Iran, duke lënë të vdekur të 176 personat në bord, me shumë gjasë u rrëzua aksidentalisht nga një raketa anti-ajrore iraniane.
Një zyrtar amerikan i konfirmoi korrespondes së VOA në Pentagon, Carla Babb se ai është i sigurt se ishte Irani që e rrëzoi avionin ukrainas dhe se sigurinë e tij e bazon tek zbulimi amerikan.
Sipas të dhënave satelitore, tha një zyrtar amerikan, vetëm dy minuta pas nisjes së avionit Boeing 737-800 të linjave ndërkombëtare të Ukrainës, i cili ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit dhe udhëtonte drejt Kievit, u diktuan shenja nxehtësie të dy raketave tokë-ajër.
Kjo u pasua menjëherë nga një shpërthim në afërsi të aeroplanit, tha zyrtari. Të dhënat e nxehtësisë treguan më pas aeroplanin që kishte marrë zjarr dhe po binte.
Kreu i aviacionit civil të Iranit u citua nga Agjensia e Lajmeve ISNA të thoshte se ishte “e pamundur që një raketë të kishte goditur aeroplanin ukrainas”.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni beson se rrëzimi i avionit, i cili ndodhi në një kohë të rritjes së tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ishte aksidental.
Kompania Boeing dhe Administrata Federale e Aviacionit nuk pranuan të komentojnë. Po ashtu edhe Pentagoni.
Presidenti Donald Trump la të kuptohet se ai besonte që Irani të ishte përgjegjës dhe nuk fajësoi drejtpërdrejt Iranin, por hodhi poshtë pohimet iraniane se rrëzimi ishte një çështje mekanike.
“Dikush mund të ketë bërë ndonjë gabim nga ana tjetër,” tha Presidenti Trump, duke vënë në dukje se avioni ishte duke fluturuar “në një rajon mjaft të vështirë”.
“Disa njerëz thonë se ishte mekanik,” shtoi zoti Trump. “Unë personalisht nuk mendoj se ishte ky problemi, as që bëhet fjalë”.
Ekuipazhi i avionit nuk kërkoi ndihmë me radio dhe po përpiqej të kthehej për në aeroport kur avioni që po digjej filloi të binte, thuhej në një raport fillestar hetimor të Iranit të publikuar të enjten.
Raporti iranian lë të kuptohet se diçka e papritur goditi avionin Boeing 737 të operuar nga kompania Ukrainian International Airlines mëngjesin e të mërkurës. Avioni u rrëzua vetëm disa minuta pasi u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini në Teheran.
Hetuesit nga Organizata e Aviacionit Civil të Iranit nuk ofruan asnjë shpjegim për katastrofën. Zyrtarët iranianë fillimisht fajësuan një mosfunksionim teknik për rrëzimin, diçka që u mbështet në fillim nga zyrtarët ukrainas. Por më pas ata thanë se nuk donin të shprehnin hamendje ndërkohë që hetimi ishte në vazhdim./voa
Top Channel