Rritja e tensioneve me Iranin dhe e rrezikut për sigurinë në Lindjen e Afërt kanë bërë që presidenti Trump të kërkojë nga NATO më shumë angazhim në Gjirin Persik.
Këtë presidenti amerikan e bëri të qartë në një telefonatë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur, se Trump në bisedë ka theksuar vlerën e NATO-s dhe rolin e saj në ndalimin e konflikteve e ruajtjen e paqes në rajon. Jens Stoltenberg është treguar i hapur, sipas të dhënave nga Brukseli.
“Ata kanë rënë dakord që NATO mund të kontribuojë më shumë në stabilitetin rajonal dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, bëri të ditur aleanca në Bruksel.
Të dy do të mbeten në kontakt për këtë çështje. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u tregua më i përmbajtur. Në televizionin gjerman ARD, ai tha se “NATO është ndërkohë qw ne flasim në Irak me një mandat të sajin.”
Kësaj i shtohet mandati i koalicionit ndërkombëtar kundër milicëve terroristë të “Shtetit Islamik”, IS. Pra ekziston sakaq, sipas MAAS-it, një angazhim i madh ndërkombëtar. Pas vrasjes së qëllimshme të gjeneralit të njohur iranian, Khasem Suleimani nga një dron amerikan në kryeqytetin e Irakut, Bagdad të premten e kaluar, tensionet në rajon janë shtuar.
NATO dhe Bundeswehri gjerman vendosën të ndërpresin misionin e trajnimit në Irak dhe të zhvendosnin trupat në pjesë të tjera të Irakut.
Top Channel