Papa Françesku ka bërë reagimin e parë sot lidhur me përshkallëzimin e tensioneve SHBA – Iran. Françesku bëri një apel të fortë për dialog, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjeve ndërkombëtare drejtuar SHBA-së dhe Iranit, duke kërkuar impenjim për të shmangur një konflikt më të gjerë. Thirrja u bë gjatë fjalimit të përvitshëm të Papa Françeskut me ambasadorët e mbi 180 shteteve në Selinë e Shenjtë, gjatë takimit që mbahet në nisje të vitit të ri.

 

Papa Françesku, njoftoi Vatikan News, i takoi diplomatët paradite në një audiencë të shumëpritur, pasi e gjithë bota dëshironte të dinte qëndrimin e Papës dhe të Vatikanit për krizat aktuale. Ky është takimi ku Papa hedh vështrimin mbi problemet dhe tensionet e botës, në një fjalim, që më pas, kthehet në mjet për deshifrimin e gjeopolitikës së Vatikanit.

Për gati 40 minuta, i duartrokitur ngrohtë nga të pranishmit, Ipeshkvi i Romës reflektoi mbi çështje të ndryshme, të ndjeshme dhe delikate, që kanë të bëjnë me krejt planetin. Për refugjatët, kërkoi “zgjidhje të qëndrueshme”, duke denoncuar se Mesdheu është kthyer në “varrezë”.

Për krizat në Jemen dhe Libi nënvizoi se janë “terren” për “plagën” e trafikimit të njerëzve dhe përsëriti nevojën për të “mbështetur procesin e paqes në Tokën Shenjte”. Janë 183 shtetet, që aktualisht kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Atyre u shtohen Bashkimi Evropian (BE) dhe Urdhri Sovran ushtarak i Maltës. Në Romë, i kanë ambasadat 89 vende, përfshirë Shqipërinë, e ngarkuara me punë e së cilës, znj. Majlinda Dodaj, mori sot pjesë në takimin me Papën.

Viti 2020 “nuk duket i yjëzuar nga shenja inkurajuese, por më së shumti, nga shkallëzimi i tensioneve dhe i dhunës”. Gjithsesi, për Papën, “pikërisht në dritën e këtyre rrethanave, nuk mund të reshtim së shpresuari.

E shpresa kërkon guxim. Kërkon vetëdijen se e keqja, vuajtja dhe vdekja nuk do të mbizotërojnë dhe që, edhe pyetjet më të ndërlikuara mund dhe duhet të përballohen e të zgjidhen”. Shpresa “është virtyti që na vë për udhë, na jep krahë për të ecur përpara, edhe kur pengesat duken të pakapërcyeshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA