Vetëm dy gola në 14 takime. Këto janë shifrat e Gareth Bale deri në këtë pikë të sezonit. Pas problemeve fizike dhe polemikave të ndodhura pas një foto të publikuar, në të cilën shkruhej “Uells, Golf më pas Madrid”, sezoni i sulmuesit të Real Madrid ka ardhur duke u përmirësuar.
Gjatë verës që shkoi dukej pothuajse çështje e mbyllur kalimi i tij në Kinë, por në fund ai qëndroi te “Los Blancos”, ku arriti madje të fitojë edhe vendin në formacion, por pa mundur asnjëherë deri tani të tregojë të gjitha vlerat e tij. Me hapjen e merkatos së janarit sërish është folur shumë për të ardhmen e ish-lojtarit të Tottenham, por për t’i dhënë fund të gjitha zërave ka menduar agjenti i uellsianit, Jonathan Barnett.
Gjatë një interviste, britaniku “blindon” të ardhmen e Bale, duke deklaruar se lojtari nuk do të lëviz askund në merkaton e janarit dhe se ka pak gjasa që diçka e tillë të ndodhë edhe në përfundim të këtij sezoni. Pavarësisht zërave të shumtë, fjalët e agjentit të Bale lënë të nënkuptohet se uellsiani mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madrid, së bashku me Karim Benzema, pas largimit të Cristiano Ronaldos.
Bale mungoi në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës të luajtur në Arabinë Saudite ndaj Valencias, takim që madrilenët arritën ta fitojnë pa shumë probleme me rezultatin 3-1. Uellsiani për momentin vuan nga një infeksion në fyt dhe kjo ka detyruar trajnerin Zinedine Zidanë që të mos e përfshijë në fazën finale të Superkupës, që këtë sezon luhet në një format “Final Four”, me “Los Blancos” që arritën kështu të sigurojnë finale.
Gareth Bale u transferua te Real Madrid në verën e vitit 2013 për 101 mln euro nga Tottenham, ndërkohë që kontrata e tij me madrilenët përfundon në vitin 2022. Gjatë këtyre viteve, 30-vjecari ka fituar nga 4 herë trofeun e Champions League dhe Kupën e Botës për Klube, 3 herë Superkupën e Europës, si dhe nga një here titullin e La Ligas, Kupën e Spanjës si dhe Superkupën e Spanjës me fanelën e “Los Blancos”.
Top Channel