Rikthehet kancelari Kurz, bën betimin për drejtimin e qeverisë së re në koalicion me Partinë Ekologjiste

08/01/2020 02:23

Lideri i konservatorëve austriakë, Sebastian Kurz, rikthehet si kancelari më i ri në botë pasi bëri betimin të martën duke u vënë në krye të një koalicioni me të gjelbrit, pas kolapsit të aleancës së mëhershme të tij me të Djathtën Ekstreme.

Duke premtuar se do të mbrojë klimën dhe kufijtë, 33 vjeçari është bërë kancelar i një qeverie që mediat austriake e kanë quajtur ekzotike apo të pashoqe, që shënon edhe herën e parë që të Gjelbrit hyjnë në një qeveri kombëtare në vendin alpin.

Partia e Kurz, OVP, dhe të Gjelbrit, ranë dakord javën e shkuar të qeverisin së bashku pasi administrata e fundit, me të djathtën ekstreme u rrëzua si pasojë e një skandali korrupsioni.

Si OVP ashtu edhe Partia Ekologjiste, shënuan rritje në zgjedhjet e shtatorit. Aleanca synon që të kënaqë të dyja palët, duke shtyrë Austrinë drejt një pozicioni më neutral kundrejt karbonit dhe duke vazhduar në të njëjtën kohë me masat e mëparshme anti emigracion.

Disa vëzhgues mendojnë se nëse do të ketë sukses, aleanca mund të bëhet model për vendet e tjera evropiane ndërsa shumë shtete në kontinent po përballen me ndjenjat populiste por edhe me ndryshimet e klimës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA