Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo tha se vendimi i presidentit Trump, për vrasjen e komandantit iranian Kasem Soleimani në një sulm me dron, ishte plotësisht i ligjshëm, i duhur dhe një vendim që përshtatet plotësisht me strategjinë e shteteve të bashkuara të Amerikës kundrejt Iranit, pavarësisht se nuk dha prova që justifikonin aksionin.

“Presidenti kishte një bazë tërësisht ligjore ndërkohë që vendimi ishte në një linjë me strategjinë tonë për të luftuar kërcënimin e aktiviteteve malinje nga Irani dhe më gjerë”, shprehet Pompeo.

Vrasja e Soleimanit ka shtuar frikën e një konflikti mes shteteve të bashkuara dhe Iranit. Shefi i forcave Quds kishte si detyrë mbrojtjen dhe promovimin e interesave iraniane jashtë vendit dhe konsiderohej si një hero. Për shtetet e bashkuara, ai ishte një terrorist dhe ndërsa shpjegonte përse kishte autorizuar sulmin, presidenti Trump tha se Soleimani ishte një kërcënim. Sidoqoftë Irani tani po shqyrton skenarët e mundshëm të hakmarrjes ndaj shteteve të bashkuara. Zyrtarë të sigurisë së vendit thonë se janë 13 skenarë, secili prej të cilëve, do të ishte një makth për amerikanët. Sipas tyre, forcat amerikane në lindjen e mesme, do të konsiderohen objektiv sulmi.

“Procesi i dëbimit të shteteve të bashkuara nga rajoni ka filluar”, deklaroi Hossein Salami, komandanti i rojave revolucionare. Më herët edhe Hezbollahu kishte paralajmëruar se asnjë ushtarë, bazë amerikane apo luftanije në rajon, nuk do të ishte e sigurt pas vrasjes së Soleimanit.

Ndërkohë, ka shkuar në 50 numri i viktimave dhe në më shumë se 200 ai i të plagosurve në ceremoninë e varrimit të Kasem Soleimanit në qytetin e tij të lindjes, Kerman. Nuk është e qartë se çfarë i ka shkaktuar viktimat, por numri i njerëzve të mbledhur para ceremonisë ishte jashtëzakonisht i madh, dhe në një moment të caktuar situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ata janë shtypur me këmbë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA