Duke përfituar nga ligji spanjoll, që e bënte shumë të vështirë që të largohej një zaptues nga prona e zënë, si dhe nga qiratë shumë të larta në një prej qyteteve më të kërkuara të vendit, Barcelonë, kriminelë të dhunshëm kanë shqyer dyert e banesave ku nuk banonte njeri prej kohësh, u kanë ndërruar bravat dhe ua kanë shitur çelësat e rinj zaptuesve, për 1000 deri në 1400 euro.

Pronarët e ligjshëm që kanë ardhur t’i përzënë janë kërcënuar me dhunë, por në shumicën e rasteve janë detyruar t’u paguajnë zaptuesve një shumë tepër të madhe që t’u lirohet prona. Çuditërisht, pronarëve u leverdiste më shumë të paguanin zaptuesit sesa të ndiqnin format ligjore, pasi ligji në Spanjë u jepte të drejtë të pastrehëve të qëndronin deri në fund të procedurës së dëbimit, e cila zgjaste plot 15 muaj. 15 muaj qira në Barcelonë është një shifër mjaft e konsiderueshme. Veç kësaj, zaptuesit kishin edhe të drejtën e apelimit të vendimeve për dëbim.

Ky problem e ka origjinën në vitin 1984, po në Barcelonë, kur disa persona nisën të zaptojnë shtëpi që liheshin bosh pasi familjet ishin dëbuar nga bankat, për shkak se nuk kishin paguar kreditë. Të rinjtë antikapitalistë zaptuan një prej atyre shtëpive dhe bënë thirrje që shteti t’i ndihmojë familjet në krizë ashtu siç ndihmon bankat në krizë.

Lëvizja nisi si thirrje ndaj qeverisë që ofronte paketa shpëtimi për bankat në vështirësi, dhe kërkonte që të ofronte paketa shpëtimi edhe për familjet në vështirësi.

Të rinjtë u përzunë brenda pak orësh nga policia, por veprimi i tyre frymëzoi të rinj të tjerë në të gjithë vendin. Shumë shpejt, policia u desh të përballej me një lëvizje të tërë që po zaptonte shtëpi të sekuestruara nga bankat apo që ishin lënë bosh. Kjo lëvizje nisi të quhet “Okupa” (Zapto), shpesh e shoqëruar nga fjalët “zapto dhe rezisto”.

Pas vitit 1984, lëvizja është aktivizuar herë pas here në Barcelonë dhe çdo herë është shoqëruar me trazira. Në vitin 1997 një grup të rinjsh u përzunë nga banesat e zëna dhe u përplasën me policinë, duke djegur 40 makina e duke thyer xhama. Në vitin 2016 ndodhi e njëjta skenë për një ndërtesë në Travesera de Garsia. Në shkurt të vitit 2017 nisi një lëvizje më masive, që la shumë blerës pronash pa mundur të futen në shtëpitë e tyre.

Kjo solli krijimin e organizatave të tjera, “desokupa”, që kishin si qëllim largimin e shpejtë të zaptuesve. Veç tyre, grupe burrash trumpëdhenj ofronin që të largonin zaptuesit nga shtëpitë e zëna kundrejt 2000 eurove. Për pronarët, kjo ishte zgjidhje më e mirë se të prisnin 15 muaj. Por këta të fundit u penguan nga vetë kryebashkiakja e Barcelonës, e cila u doli në mbrojtje të pastrehëve dhe kërkoi lehtësime ekonomike nga qeveria për çështjen e strehimit, që ishte qartësisht shumë problematike në vend.

Kështu nisën të shfaqen edhe grupe “të fortësh”, të cilët, për 2000 euro, ofronin t’i nxirrnin zaptuesit me dhunë e t’ua kthenin pronën të zotëve, pa pritur procedurat e gjata ligjore.

Zaptimet u kthyen të jenë problem sidomos pas krizës financiare të viteve të fundit në Eurozonë, kur shumë familje nuk mund të paguanin më kreditë ose qiratë e larta. Disa u detyruan të kthehen te familjarët e tyre në qytetet prej nga vinin, të tjerë u dëbuan nga bankat sepse thjesht nuk paguanin dot kreditë. Banesat në Barcelonën e shtrenjtë nisën të mbeten sërish bosh, por këtë herë zaptuesit nuk ishin më aktivistë, por mashtrues, kriminelë të dhunshëm e madje organizata mafioze. Për këtë arsye, qeveria mori masa për të ndryshuar ligjet e për t’i përshpejtuar procedurat e dëbimit të zaptuesve. Këto ligje u kundërshtuan me shumë forcë nga partitë e majta si dhe nga grupe të rinjsh që kërkonin reforma për strehim social.

Pas shumë debatesh që përçanë si politikanët, ashtu dhe opinionin, në verë të vitit 2018 u miratua një ligj i ri, edhe pse vetëm me një votë plus. Sipas ligjit, zaptuesve do t’u dërgohej një letër njoftimi për të treguar certifikatën e pronësisë. Në rast se kjo nuk jepej, gjykata do të jepte urdhër të prerë që të lirohej banesa menjëherë. Ndryshimi i madh që sjell ky ligj është që pronarët e shtëpive nuk do të presin më me muaj të tërë, por vetëm pak javë, dhe zaptuesve u hiqet e drejta e apelimit.

Megjithatë, ligji zbatohet vetëm për banesat e zotëruara nga individë. Banesat e zotëruara nga bankat apo institucione të tjera biznesi, bëjnë përjashtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA