Pentagoni ka mohuar pretendimet mediatike për një tërheqje të ushtrisë amerikane nga Iraku. Ishin fillimisht agjencia Reuters dhe më pas Sky News që raportuan për një memo ku thuhej se koalicioni i drejtuar nga SHBA do të tërhiqej nga Iraku, pas vendimit që mori Parlamenti vendas.
Por Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, reagoi pak minuta më vonë duke theksuar se SHBA nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr nga Iraku.
Duke theksuar se memo e pretenduar nga mediat nuk është e saktë, Esper shtoi se “nuk është marrë asnjë vendim për t’u larguar nga Iraku”.
Esper shtoi se stafi i tij po “përpiqet të kuptojë” se çfarë është kjo memo pasi “nuk ka plane për t’u larguar. Mund të ketë ripozicionimin (të ushtarëve), por jo një tërheqje”.
Sipas asaj që u raportua më parë nga Reuters, koalicioni i drejtuar nga SHBA ia kishte komunikuar ushtrisë irakene tërheqjen, për të respektuar sovranitetin e Irakut.
Parlamenti i Irakut votoi pak ditë më parë pro kërkesës për të larguar trupat amerikane nga vendi pas vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani. Por pavarësisht vendimit të Parlamentit, presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Irakun me sanksione të ashpra, nëse dëbohen ushtarët amerikanë.
“Ne kemi atje një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë. Ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Do të largohemi vetëm nëse na i kthejnë mbrapsht ato para”, u tha ai
Me kërkesë të Qeverisë së Irakut, trupat amerikane u vendosën në rajon në qershor të 2014-ës për të luftuar Shtetin Islamik. 3.5 miliardë dollarë ka kushtuar mbështetja për koalicionin që luftoi ISIS-in.
Top Channel