Yjet britanikë patën një mbrëmje të shkëlqyer në Golden Globes, ku Sam Mendes rrëmbeu dy çmime për filmin e tij epik mbi luftën e parë botërore, “1917“, i cili u shpall dhe filmi më i mirë dramatik. Mendes mori gjithashtu dhe statuetën e regjisorit më të mirë, por për këtë përpos falenderimeve, kishte edhe një lutje: që publiku të shkojë e ta shohë filmin në kinema, sepse siç tha ai, “1917“-ta është bërë për ekranin e madh.
Në një tjetër triumf për britanikët, Fleabag i Phoebe Waller-Bridge mori dy çmime, ndërsa Olivia Colman u vlerësua për interpretimin e bërë mbretëreshës Elisabetë. Por fituesi i mbrëmjes me total çmimesh ishte padyshim “Once upon a time in Hollywood“; komedia e zezë e Quentin Tarantinos ishte nominuar për imazhin, muzikën, aktorët Leonardo di Caprio e Brad Pitt, skenarin dhe regjinë. Nga të gjitha këto, rrëmbeu tre çmime: Perfomanca e Pitt si aktor dytësor, skenari i Tarantinos dhe filmi vetë në kategorinë e muzikalit apo komedisë.
Ndërkohë “The Irishman”, me regji të Martin Scorsese, i transmetuar nga Netflix, nuk ka arritur në fitojë në asnjërën kategori. Joaquin Phoenix, u shpërblye me çmimin e aktorit më të mire për rolin e tij tek “Joker”, ndërsa aktorja më e mirë u shpall Renee Zellweger. Në kategorinë e serialit më të mirë televiziv, çmimin e mori projekti Chernobyl. Në ceremoninë e 77-të të ndarjes së këtyre çmimeve të rëndësishme kinematografike të mbajtur në Kaliforni, u përmendën edhe zjarret vdekjeprurëse të Australisë, të cilat kanë marrë të paktën 24 jetë që kur shpërthyen në muajin shtator.
Top Channel