Ligji i Turqisë që lejon vendosjen e trupave në Libi shënon një përshkallëzim të rrezikshëm në luftën civile të vendit të Afrikës së Veriut dhe kërcënon rëndë stabilitetin në rajon, thanë në një deklaratë të përbashkët Greqia, Izraeli dhe Qipro.
“Ky vendim minon seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe politike për konfliktin libian”, u tha në deklaratën e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, atij izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentit të Qipros, Nicos Anastasiades.
Më 2 dhjetor, parlamenti i Turqisë ka miratuar dërgimin e trupave ushtarake në Libi për të mbështetur qeverinë e përkrahur nga Kombet e Bashkuara.
Ligjvënësit turq kanë votuar me 325 vota për dhe 184 kundër dërgimit të trupave për një vit në Liibi.
Aktualisht ekzistojnë shqetësime se forcat turke mund ta përkeqësojnë konfliktin në Libi.
Qeveria e kryeministrit, Fayez Sarraj me bazë në Tripoli e cila mbështetet nga OKB-ja është duke luftuar kundër një qeverie paralele, të udhëhequr nga gjenerali, Khalifa Haftar.
Forcat besnike të gjeneralit, që përkrahet nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet tjera, duke përfshirë ata që besohet se janë mercenarë rusë, kanë nisur një ofensivë në prill të vitit të kaluar për të pushtuar kryeqytetin e Libisë./REL
Top Channel