Turqia: Shndërrimi i Irakut në zonë konflikti dëmton paqen dhe stabilitetin në rajon

03/01/2020 18:04

Ministria e Jashtme e Turqisë tha se vendi ndihet “thellësisht i shqetësuar” nga rritja e tensioneve midis SHBA-së dhe Iranit në rajon pas vrasjes së gjeneralit të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, në një operacion ajror amerikan në Bagdad, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim, ministria u bëri thirrje palëve për përmbajtje pas vrasjes së Soleimanit, komandantit të forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Jemi thellësisht t ë shqetësuar nga rritja e tensioneve SHBA-Iran në rajon”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Në veçanti, riafirmojmë fuqishëm paralajmërimin se shndërrimi i Irakut në zonë konflikti do ta dëmtojë paqen dhe stabilitetin si në Irak, ashtu edhe në rajonin tonë”, thuhet më tej.

Ministria theksoi se operacioni ajror në Bagdad në orët e mëngjesit në të cilin u vra Soleimani “është e qartë se do të shkaktojë rritjen e pasigurisë dhe jostabilitetit në rajon”.

“Duhet të dihet se hapa e tillë përshkallëzues që kërcënojnë stabilitetin në rajonin tonë do të rrisin spiralen e dhunës dhe të gjitha palët do të vuajnë nga kjo situatë”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme po ashtu tha se Turqia çdoherë ka qenë kundër ndërhyrjeve të jashtme në rajon, atentateve dhe konflikteve sektare.

“Prandaj, ne i ftojmë të gjitha palët të veprojnë me arsye të shëndoshë dhe me gjakftohtësi, për të shmangur hapat e njëanshëm që do të rrezikonin paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe t’i japin prioritet diplomacisë”, thuhet në reagimin e Turqisë.

Ndryshe, sulmi amerikan në Bagdad, në të cilin u vra Soleimani, erdhi në vazhdën e tensioneve Iran-SHBA, pasi mijëra irakianë sulmuan kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad të martën, duke protestuar kundër sulmeve ajrore të së dielës në Irak dhe Siri kundër milicisë Kataib Hezbollah, në të ciliat u vranë të paktën 25 luftëtarë.

Sulmet ajrore ishin përgjigje të një sulmi me raketa të premten e kaluar në një bazë ushtarake amerikane në Kirkuk, për të cilën u fajësua Kataib Hezbollah, i cili është pjesë e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani. Sulmi i së premtes la të vrarë një kontraktues amerikan dhe plagosi katër anëtarë të stafit amerikan.

Pentagoni e akuzonte Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA