Mediat e Koresë së Veriut publikuan pamje të reja të liderit Kim Jong Un teksa lëviz mbi një kalë të bardhë në një mal të shenjtë, imazhe këto për të cilat ekspertët thonë se mund të kenë një ngarkesë të fortë simbolike e mbase duhen parë si tregues i ndonjë deklarate politike.
Filmimet transmetohen në kohën kur bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara kanë ngecur në vendnumëro, ndërsa afati i fundvitit të vendosur nga Koreja e Veriut për ndonjë lëshimi nga Washingtoni, iu afrua fundit.
Kim i veshur me një pallto lëkurë, shoqërohej nga një grup zyrtarësh, si dhe nga e shoqja, Ri Sol Ju. Mali ku ata shëtitën, një vullkan i fjetur në kufi me Kinën – ka një domethënie të madhe simbolike në Veri si vendlindja shpirtërore e kombit Korean dhe gjithashtu si vendi i lindjes së babait të liderit koreano-verior, Kim Jong Il.
Udhëheqësi aktual i vendit komunist vizitoi disa zona historike dhe u ngjit në mal, duke lënë sipas mediave atje një “gjurmë të shenjtë në zona të betejës revolucionare”, pasi shkeli në “borën e paprekur, trashësia e së cilës mbërrinte deri në gju“.
Top Channel