Kryeministri australian, Scott Morrison është detyruar të ndërpresë një vizitë në qytezën Kobargo, pasi banorët lokalë kanë qenë të zemëruar me qeverisjen e tij në kohën e zjarreve që kanë përfshirë këtë vend.
Ata kanë thënë se Morrison ka bërë shumë pak për t’i ndihmuar kësaj qyteze në Uellsin e Ri Jugor.
Në këtë vend kanë vdekur dy persona më herët gjatë kësaj jave dhe shumë të tjerë kanë humbur shtëpitë.
Kryeministri australian kanë thënë se “nuk është i befasuar me ndjenjat e banorëve”.
Udhëheqësja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian, ka shpallur një javë të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përshkallëzimit të gjendjes me zjarre.
Nga muaji shtator, zjarret në Australi kanë lënë të vdekur 18 persona dhe kanë shkatërruar më shumë se 1,200 shtëpi në Uellsin e Ri Jugor dhe vendin fqinj, Viktoria.
Vetëm këtë javë është raportuar për 17 persona të zhdukur.
Sakrificat e zjarrfikësve vullnetarë të Australisë
Mijëra persona tashmë kanë nisur të largohen nga Uellsi i Ri Jugor, pasi edhe rezervat ushqimore kanë filluar të harxhohen.
Kjo situatë është konsideruar si “zhvendosja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në këtë rajon”.
Meteorologët kanë thënë se sistemi klimatik në Oqeanin Indian është shkaktari kryesor i të nxehtit të jashtëzakonshëm në Australi.
Megjithatë, shumë pjesë të këtij kontinenti kanë qenë të thara për vite, andaj zjarret janë zgjeruar shumë më lehtë./ Evropa e Lirë
Top Channel