Shqipëria dëbon mësuesin turk/ U kap me dokumente false në Rinas 6 muaj më parë, pjesëtar i lëvizjes së Gylen

02/01/2020 15:06

Mbrëmjen e së mërkurës, policia shqiptare dëboi një mësues turk, Harun Çelik, i cili rreth gjashtë muaj më parë ishte kapur në Rinas në tentativë për të dalë me dokumenta fallco në drejtim të Kanadasë.

Pasi vuajti një dënim të formës së prerë, u vendos që sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, ai të dëbohet drejt vendit të tij, Turqisë.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi i policisë së shtetit Gentian Mullaj, iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”.

Megjithatë, Top Channel, ka mësuar se shtetasi turk, nuk kishte kërkuar azil politik në vendin tonë, për shkak sepse ai u kap në dalje të Rinasit dhe jo në tentativë për të hyrë në vendin tonë.
Këto që shihni në pamje, janë momentet e shoqërimit të Harun Çelik në aeroportin e Rinasit, për ta dëbuar më pas drejt Turqisë. Pamjet, janë bërë publike nga mediat turke.

Mësuesi 42 vjeçar, Harun Çelik, në Turqi dyshohet së është pjesëtar i lëvizjes Gulen, e për këtë arsye, në tentative për t’iu shmangur kërcënimeve në vendin e tij, u kap në aeroportin e Riansit me dokumentacion fallco.

Megjithatë, burime të policisë kufitare, bënë me dije për Top Channel, se dëbimi i tij nuk ka lidhje me dyshimet që Harun Çelik mund të jetë pjesë e lëvizjes Gulen, por u ndoq një procedurë standarde për të gjithë të huajt të cilët kapen në vendin tonë me dokumenta false.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA