2019-a nxori opozitën në protesta rrugë dhe jashtë parlamentit dhe kushti i vetëm për rikthimin e normalitetit në jetën politike, sipas PD dhe LSI, është largimi i Edi Ramës nga pushteti.

2019-a shënoi zgjedhje të kontestuara vendore, një krizë politike të thellë, një “JO” nga Brukseli për bisedimet me BE-në dhe një tërmet shkatërrimtar që i mori jetën 51 personave, plagosi e la të pastrehë mijëra të tjerë dhe shembi shtëpitë e shqiptarëve. Gazetari Ardi Pulaj na sjell disa nga ngjarjet që shënjuan 2019-ën.

Nisja e vitit 2019 u shënua me një plan të mirëorganizuar të opozitës, e cila protestë pas proteste, në fund braktisi edhe Kuvendin. Raportimet e mediave se zyrtarë të qeverisë dyshoheshin se bashkëpunuan me bandat kriminale në një skemë të blerjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017, nxorën në rrugë opozitën. Pas një klime të tensionuar në janar, në muajin shkurt opozita deklaroi se dorëzonte të gjitha mandatet e deputetëve, duke lënë të vetëm socialistët në sallë.
Pas kësaj nisën protestat, të cilat dita-ditës bëheshin edhe të dhunshme me tubimet para selisë së Kuvendit, ku u përdor masivisht edhe gazi lotsjellës.

Ambasada amerikane theksoi se kjo pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri, qëndrim që u u përsërit edhe nga BE-ja. Megjithatë Lulzim Basha deklaroi se nuk do të pranojë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me bandat e krimit, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarë që nuk paguajnë dot bukën e gojës.

Por vendet në Parlament nuk u lanë bosh. Njëri pas tjetrit, të zgjedhurit e kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, thyhen urdhrin e partive dhe pranuan të hyjnë në Kuvend, duke marrë mandatet e kolegëve që u larguan. Të vetmit që nuk e lanë mandatin ishin Rudina Hajdari, Myslym Murrizi dhe Lefter Koka. Ata morën emërimin, opozita e re, e cila në shumë raste bashkoi votat me mazhorancën, ndërsa kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor.
Protestat u intensifikuan me mbështetësit e PD-së e LSI-së, të udhëhequr tashmë nga ata që do të quheshin eksponentë të opozitës jashtëparlamentare. Protestat në disa raste u përshkallëzuan në akte dhune ndaj institucioneve dhe forcave të rendit, ndërsa këto të fundit u përballën me kritikat se e ekzagjeruan reagimin e tyre, edhe me përdorimin e gazit lotsjellës. Përfaqësues të diplomacisë euro-perëndimore vijuan thirrjet e përsëritura për bashkëpunim dhe kompromis mes palëve, në dobi të integrimit të vendit në BE.

Me një parlament me PS-në dhe deputetët e rinj të thirrur nga listat e partive të atyre që lanë mandatet, vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të planifikuara vendore të 30 qershorit, datë e dekretuar nga Ilir Meta në vjeshtën e 2018-ës. Kreu i shtetit u bë pjesë e luftës politike dhe e zhdekretoi datën 30 qershor, pak para zgjedhjeve, dhe caktoi 13 tetorin, si datë të zhvillimit të “Lokaleve 2019”. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë prerazi se “data 30 qershor është e vetmja datë për zgjedhjet vendore” dhe ky qëndrim mori mbështetje ndërkombëtare. Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Matthew Palmer, në një intervistë për Top Channel dha mesazhe të forta, që përcaktuan edhe rrjedhën politike të ngjarjeve në Shqipëri. Ai përcolli qëndrimin e qartë të Uashingtonit duke thënë: presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Presim që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe presim që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit. Zgjedhjet u zhvilluan me pjesëmarrjen e PS-së dhe pa protesta në bashkitë e vendit, siç kishte paralajmëruar opozita, dhe nën vështrimet e militantëve të opozitës që qëndronin para qendrave të votimit. Pas mesazhit zyrtar të Palmer, një tjetër mesazh kërcënues i shkoi në zyrë kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe të LSI-së Monika Kryemadhi. Mesazhi ishte se nëse shkaktoheshin trazira, dy forcat politike do të shpalleshin si organizata të dhunshme. Dhe mesazhi dha rezultat.

Por jo të gjithë të zgjedhurit në pushtetin vendor mundën të nisin punën. Opozita denoncoi se ata kishin probleme me dekriminalizimin. Valdrin Pjetri, i sapo zgjedhur kryebashkiak i Shkodrës, as nuk mundi të bëjë betimin për shkak se u detyrua të japë dorëheqjen, pasi u zbulua se ishte arrestuar dhe dëbuar nga Italia, ku ishte kapur me drogë. Agim Kajmaku, i zgjedhur në Vorë, rezultoi se kishte probleme me drejtësinë në Greqi, ku ishte akuzuar për falsifikim parash. Ai e mbylli çështjen, por tashmë është në kërkim në Shqipëri për vendime abuzive. Opozita akuzoi edhe kryebashkiakun e Vaut të Dejës si të inkriminuar.

Në klimën e një situate të tensionuar politike prej muajsh, Brukseli i tha “JO” hapjes së negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian. Kjo për shkak të vetos të vendosur nga Franca. Presidenti Emmanuel Macron kundërshtoi me forcë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe vetë institucionet e BE-së dolën haptazi kundër vetos franceze, por që ishte e padiskutueshme. Qeveria tha se Shqipëria i plotësoi kushtet, por bëhej fjalë vetëm për kundërshtimin e Macron, edhe pse shumë punë duhet bërë nga Tirana për integrimin, ndërsa BE-ja është e ngërthyer nga problemet e brendshme.

Por ngjarja që nuk do harrohet lehtë nga 2019-a është tërmeti shkatërrimtar. Vendi ishte goditur në qershor nga një tërmet, që la të pastrehë banorët e disa fshatrave në Korçë e Kolonjë, por më pas më 21 shtator, lëkundjet dëmtuan rëndë banesa në Durrës, Tiranë e Thumanë. Ndërsa orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit ishin edhe më tragjike.
Shqipëria u godit nga një tërmet katastrofik me magnitudë 6.4, që i mori jetën 51 personave; la mijëra të plagosur dhe të pastrehë dhe shembi e dëmtoi shumë ndërtesa. Durrësi dhe Thumana shënuan bilancin më të rëndë të viktimave. E gjithë Shqipëria u përfshi në operacionet e kërkimit dhe ndihmës pas tërmetit, e mbështetur edhe nga shumë vende të tjera. Skena ndërtesash të rrënuara dhe njerëz në panik ishin titujt kryesor të lajmeve në të gjithë vendin, por dhe në botë.

Pasojat e tërmetit ngjallën diskutimet rreth standardeve të ndërtimit në Shqipëri pasi shumë godina nuk ishin të përgatitura për lëkundjet. Këtu në Top Channel i kemi transmetuar “live” nga çdo cep i vendit pasojat e kësaj katastrofe. Fokusi tani është te projekti i rindërtimit, që planifikon ndër të tjera, edhe krijimin e lagjeve të reja në Tiranë, Durrës e Laç. Teksa Shqipëria ende përballet me pasojat e tërmetit, qytetet e prekura nga lëkundjet e tokës, gjetën forcën e sollën atmosferën e festave të fundvitit për të përcjellë 2019-ën dhe pritur nisjen e dekadës së re.

Ardi Pulaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA