Në ditën e 25 të grevës kundër reformës së pensioneve, janë ashpërsuar tonet mes sindikalistëve dhe drejtuesve dhe tani sytë janë kthyer nga fjalimi i pritshëm i fundvitit i Emmanuel Macron, që do të mbahet të martën.
Problemet në transport vazhdojnë, veçanërisht në Ile de France. Të dielën, katër nga 10 trena të shpejtësisë së lartë dhe 1 nga 5 trena të rregullt ishin në funksion. Në Paris, 13 nga gjithsej 60 linjat e metrosë, ishin të mbyllura.
Të hënën, një ditë para natës së ndërrimit të viteve, situata është e njëjtë e po ashtu pritet të ndodhë edhe të martën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka qëndruar i heshtur gjatë javëve të fundit duke lënë kryeministrin e tij, Eduard Philippe, në vijën e parë të frontit të përpjekjeve për të mbrojtur reformën universale të sistemit të pensioneve. Apeli i tij gjatë krishtlindjeve për një armëpushim në periudhën e festave ra në vesh të shurdhër ndërkohë që tani pritet fjalimi i tij i fundvitit, për të patur një panoramë më të qartë të asaj që do të ndodhë në fillim të 2020.
Kjo është hera e dytë që shefi i shtetit përballet me të tilla kriza sociale. Vitin e kaluar ai u përball me zemërimin e jelekëverdhëve, dhe u detyrua të hiqte dorë nga rritja e taksës së karburantit që kishte planifikuar.
Top Channel