Nga 1 janari, lokalet me tavolina në ambjente të hapura, që përdorin ngrohje, në qytetin francez të Rennes, do të jenë pjesë e të shkuarës pasi qyteti vendosi që kostoja ambjentaliste e praktikës, ishte shumë e lartë për tu përballuar.
“Të gjitha lokalet duhet të marrin masa për t’iu bindur rregullores ashtu siç bënë me ndalimin e konsumit të duhanit. Kjo pati krijuar jo pak debate. Fundi i tarracave të ngrohura do të shkaktojë ndryshime në sjellje dhe ne duhet të tregohemi objektive”, shprehet Marc Hervé.
Por jo të gjithë janë në një mendje. Ka nga ata që e kundërshtojnë vendimin, dhe të tjerë që e mbështesin.
“Më parë, mund të pije duhan brenda, çka nuk lejohet më…dhe ne thamë, në rregull, do ta pimë jashtë. Por edhe ne duam një minimum komforti dhe tani edhe kjo po na hiqet. Ndoshta duhet të heq dorë fare nga cigarja…por nuk është kjo çështja. Ndoshta pas pak kohësh nuk do të ketë më as çadra dhe ne do ta pimë kafenë apo birrën në shi”.
Për të tjerë, kjo nuk është shumë problem. Ata që duan të qëndrojnë ngrohtë, mund të ulen brenda në lokal dhe nëse duan të tymosin një cigare, mund të hedhin krahëve një xhup dhe ta bëjnë këtë. Për ekologjistët, vendimi është i duhuri pasi me heqjen e ngrohjes nga ambjentet e jashtme, evitohet jo pak ndotje.
Top Channel