Ashtu si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit qytetarët nuk do mund të hedhin dot fishekzjarre. Kjo pas një urdhri të përbashkët mes tre ministrave dhjetorin e vitit 2018.

Për këtë arsye, në një nga pikat e planit të masave për mbarëvajtjen e festave të fundvitit, policia e shtetit ka vendosur edhe kontrollin e kushteve të prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarre.

Madje po ashtu, ka pasur edhe raste të sekuestrimit të tyre. Ditën e premte, në Gjirokastër, policia sekuestroi 1130 kapsolla dhe 365 fishekzjarrë.
Edhe në Bulqizë, të mërkurën u proceduan dy pronarë dyqanesh, pasi iu sekuestruar 7680 kapsolla.

Burime të policisë bëjnë me dije për Top Channel, se këtë vit nuk ka pasur raste të importit të lëndëve piroteknike apo fishekzjarre, pasi sipas urdhrit, kontrolli dhe ndalimi i tyre bëhet menjëherë në pikën doganore.

Fishekzjarret dhe lëndët piroteknike të sekuestruara këtë vit, rezultojnë të kenë qenë stok i viteve të kaluara.

Ndërsa vitin e shkuar, ka pasur dy raste te ndalimit në pikat kufitare, të importit të fishekzjarreve dhe lëndëve piroteknike, pas miratimit të urdhrit.

Edhe qytetarët, u shprehën se këtë vit nuk kanë mundur të blejnë dot fishekzjarre.

Andi Bora

Top Channel