Nga 1 janari i 2020-s/ Gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit s’do t’i përdorin më pasaportat diplomatike

28/12/2019 10:26

Në 1 janar 2020, gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit nuk do mundin më t’i përdorin pasaportat e shërbimit.

Në një vendim të shpallur nga gjykata e Apelit Administrativ, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve humbi në betejën me qeverinë që në muajin qershor nxori një VKM për heqjen e pasaportave të shërbimit. Por ndërsa në vendim thuhet që rrëzohet kërkesë-padia e gjyqtarëve, nga ana tjetër apeli shton se kjo çështje është nën kompetencë të gjykatës Kushtetuese për t’u gjykuar.

I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel-it Anila Hoxha, Florian Kalaja, gjyqtari i autorizuar për të ndjekur çështjen e pasaportave diplomatike tha:

“Do presim Gjykatën e Lartë ku do të bëjmë rekurs, por edhe Gjykatën Kushtetuese. Por si fillim do na duhet vendimi i zbardhur dhe argumentet e Apelit”.

Më herët, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kundërshtoi gjyqësisht  vendimin e qeverisë për heqjen e pasaportave diplomatike me pretendimin se po cënohej statusi i gjyqtarëve dhe se VKM-ja e  datës 12 qershor 2019, sipas gjyqtarëve është e paligjshshme. Vendimi për pasaportat diplomatike u shpall nga pesë gjyqarët Amarildo Laci, Arjan Qafa, Alkelina Gazidede, Lindita Sinanaj dhe Bari Shyti. Për shkak se ai është i formës së prerë do të thotë se gjyqtarët kanë të drejtë t’i përdorin pasaportat e shërbimit deri ditën e fundit të këtij viti

Top Channel